Zonja e Parë e Ukrainës: Rritja e çmimeve të energjisë ia ka shtuar barrën Ukrainës

04/09/2022 15:42

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, bëri thirrje që ndihma për Ukrainën të vazhdojë, megjithë vështirësitë ekonomike dhe rritjen e çmimeve të energjisë në mbarë Evropën, për të cilat ajo akuzoi Rusinë.

Ajo vuri në dukje se kostot e agresionit rus janë edhe shumë më të rënda për vendin e saj, jo vetëm ekonomikisht, por edhe në jetë njerëzish.

Në një intervistë të transmetuar të dielën, Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në mbarë Evropën, por se pasojat për vendin e saj janë edhe më të rënda.

“Sigurisht që e kuptoj se situata është e vështirë, por më kujtohet edhe koha e epidemisë COVID-19 që është ende mes nesh, kur pati rritje të çmimeve dhe u prek edhe Ukraina. Çmimet por rriten edhe në Ukrainë, por krahas kësaj po vriten edhe njerëzit tanë. Pra, kur filloni të numëroni qindarkat në llogarinë tuaj bankare apo nëpër xhepa, ne bëjmë të njëjtën gjë dhe numërojmë edhe viktimat”, i tha zonja Zelenska gazetares Laura Kuenssberg të kanalit britanik BBC.

Ajo u bëri thirrje britanikëve që megjithë vështirësitë ekonomike të vazhdojnë mbështetjen për vendin e saj të rrënuar nga lufta.

Ministria britanike e Mbrojtjes bëri publike të dielën të dhënat më të fundit të zbulimit dhe u shpreh në Twitter se: “Forcat ruse vazhdojnë të vuajnë nga probleme morali dhe disipline në Ukrainë. Krahas lodhjes nga luftimet dhe viktimat e shumta, një nga pakënaqësitë kryesore të ushtarëve rusë të dislokuar në front janë ndoshta nga problemet me rrogat e tyre”.

Në deklaratën e ministrisë britanike thuhet se në ushtrinë ruse, të ardhurat e ushtarakëve përbëhen nga një rrogë modeste bazë, e plotësuar nga një varietet shpërblimesh e dietash. Po kështu duket se ka patur probleme domethënëse me dhënien e shpërblimeve të konsiderueshme për pjesëmarrjen në luftime. Kjo duket se ndodh për shkak të burokracisë joefikase të ushtrisë, për shkak të statusit të pazakontë ligjor të të mbiquajturit “operacion i posaçëm ushtarak”, si dhe prej korrupsionit të hapur të komandantëve ushtarakë.

Ushtria ruse nuk ka plotësuar vazhdimisht nevojat bazë të forcave të dislokuara në Ukrainë, si uniformat e përshtatshme, armët dhe racionet me ushqime, apo rrogat. Kjo ka kontribuar me siguri për moralin e dobët të pjesës më të madhe të ushtarakëve.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian tha dje se ndërsa është intensifikuar beteja energjitike mes Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë, Evropa është “e mirëpërgatitur”, falë rezervave dhe masave për konservimin e energjisë, nëse Rusia vendos të ndalë të gjithë furnizimin me gaz.

“Nëse Putini do të ndërmerrte një hap të mëtejshëm për ndërprerje të furnizimit, kjo do të ishte shkelje e kontratave dhe të gjithë shpresojnë që të mos ndodhë. Nëse ndodh, është e qartë që do të ketë pasoja, por është gjithashtu e qartë se ne jemi përgatitur prej muajsh për këtë rrezik. Nuk duhet ta nënvlerësojmë, por sigurisht as nuk duhet të na frikësojë”, tha Paolo Gentiloni, komisioner i BE-së për ekonominë.

Kriza energjitike në Evropë u rëndua edhe më tej të premten, kur korporata energjitike ruse Gazprom njoftoi se aktualisht nuk mundej të rifillonte furnizimin me gaz natyror drejt Gjermanisë. Megjithëse kompania ruse përmend arsye teknike dhe riparime, zyrtarët gjermanë kanë refuzuar shpjegimet e Gazprom-it, duke thënë se janë thjesht një mbulesë për lojën politike që ka shoqëruar sulmin e Rusisë në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA