Termocentrali bërthamor i Zaporishias në Ukrainë humbi përsëri linjën e energjisë së jashtme, njoftuan inspektorët e OKB-së të shtunën, duke nxitur frikën e një katastrofe ndërsa Moska vazhdon të mbajë të mbyllur tubacionin e saj kryesor të gazit për në Gjermani me qëllimin për t’i shkaktuar më shumë probleme Perëndimit.
Termocentralit Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, iu ndërpre linja e fundit kryesore e jashtme e energjisë, megjithëse një linjë rezervë vazhdoi të furnizonte me energji elektrike rrjetin, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Tashmë vetëm një nga gjashtë reaktorët e stacionit mbeti në funksion.
Nga frika e ndonjë incidenti të mundshëm bërthamor, autoritetet në Zaporizhja u kanë shpërndarë banorëve tableta jodi, medikamente që mbrojnë, deri në një masë, nga substancat radiaoktive.
Ekspertët thonë se teorikisht, janë tre skenarë që mund të shkaktojnë rrjedhje të materialit radioaktiv nga Zaporizhja.
I pari do të ndodhte në rast të sulmit të drejtpërdrejtë mbi reaktorët e tij; i dyti, në rast të dëmtimit të depozitave ku mblidhet karburanti i shpenzuar, që është radioaktiv, dhe i treti në rast se centrali mbetet pa energji, dhe pa këtë të fundit mund të dështojë sistemi i ftohjes dhe karbuarnti radiokativ të shkrihet dhe të rrjedhë.
“Për aq kohë sa ka energji elektrike nga jashtë, centrali mund të operojë në mënyrë të sigurt. Nëse energjia ndalet, reaktorët duhet të mbyllen, si masë paraprake për sigurinë. Por, edhe kur mbyllen, ata duhet të ftohen. Në këtë rast, pompat ftohëse do të funksiononin me naftë nga gjeneratorët rezervë. Por, në Zaporizhja, disa burime thonë se gjeneratorët nuk punojnë siç duhet”, thotë eksperti Ross Peel, nga Qendra për Shkencë dhe Studime të Sigurisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Ekspertët thonë se kërcënim më vete vete paraqet edhe faktori njeri. Sipas tyre, stafi ukrainas në Zaporizhja punon me orar të stërzgjatur dhe nën stres prej se forcat ruse kanë marrë kontrollin e centralit në muajin mars. Ka frikë se ata nuk do të jenë në gjendje të reagojnë shpejt, nëse diçka shkon keq në central.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka kërkuar Rusisë që t’i tërheqë trupat dhe të çmilitarizojë zonën përreth centralit në Zaporizhja. Rusia ka refuzuar, duke thënë se një gjë e tillë do ta bënte centralin edhe më të cenueshëm
Top Channel