Diego Haxhiraj, që natën e kaluar qëlloi drejt dy punonjësve të policisë në Vlorë, ka qenë vetë shenjestër e një atentati më herët.
Sipas të dhënave të policisë, rezulton se 37-vjeçari është goditur me armë zjarri, në lagjen “Pavarësia” në 5 janar të këtij viti.
Plumbi e plagosi në dorë, ndërkohë që nuk dihet nëse ajo ngjarje lidhet me atentatit që Haxhiraj ndërmorri ndaj dy policëve.
Diego Haxhiraj, i njohur po ashtu si Teki Haxhiraj dhe Diego Hanaj po lëvizte me një automjet tip “Volkswagen” në lagjen “Partizani” të Vlorës kur qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin Anxhelo Breshani, punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Vlorës dhe Nako Mehmetaj, punonjës i Policisë Kufitare Sarandë.
Haxhiraj rezulton me precedent të mëparshëm penal për lëndë narkotike.
Në momentin e ngjarjes, punonjësit e policisë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat.
Mjeti tip “Volkswagen” është gjetur i braktisur në lagjen “Partizani” të qytetit bregdetar.
Ndaj të dyshuarit rëndon akuza e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.
Top Channel