Sindikata e Pilotëve Vereinigung Cockpit VC i ka dhënë fund brenda 24 orëve grevës për paga më të larta.
Pilotët që operojnë për kompaninë Lufthansa kanë njoftuar ndërprerjen e grevës, ndërsa planet ishin që të vazhdonin edhe gjatë fundjavës. Fluturimet u kthyen në normalitet nga dita e sotme, por prishja e orareve mund të sjellë sërish vonesa.
Greva shkaktoi kaos në disa aeroporte në mbarë botën me rreth 800 fluturime të anuluara dhe rreth 130 mijë pasagjerë u prekën nga situata. Shumë prej tyre iu është dashur të kalojnë orë madje edhe ditë në aeroporte të ndryshme.
“Të them të drejtën, është e bezdisshme të bësh plane dhe pastaj ta gjesh veten në këtë situatë, për të cilën nuk je informuar më parë as me email, as me ndonjë komunikim tjetër. Duhet të vish këtu që të të njoftojnë se ç`po ndodh”, tha pasagjeri Jean-Jacques.
Sipas sindikatës së pilotëve në grevë ishin vetëm fluturimet që niseshin nga Gjermania. Kompanitë e tjera të lidhura me Lufthansën- Euroëings, Lufthansa Cityline dhe Euroëings Discover nuk u prekën nga greva. 5 000 kapitenët dhe ndihmës pilotët e kompanisë më të madhe ajrore gjermane kërkojnë 5,5 për qind rritje page qysh këtë vit, si edhe duke filluar nga viti i ardhshëm rritje automatike të pagës në përputhje me inflacionin.
Veç të tjerash, kërkojnë edhe më shumë para për ditë sëmundjeje, pushime apo trajnime, si dhe më shumë ndikim në politikat e kompanisë.
Megjithatë, nuk ka shumë mirëkuptim për momentin e grevës, për shkak të gjendjes së tensionuar ekonomike në të cilën ndodhet vendi, si dhe për faktin se pilotët e Lufthansa-s janë nga më të paguarit në Gjermani.
Top Channel