Kriza prek kursimet! Bien depozitat në korrik, shqiptarët kursejnë më pak lekë e më shumë euro

30/08/2022 16:09

Depozitat i janë rikthyer rënies në muajin korrik, ndërsa ritmet e rritjes së kursimeve këtë vit janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me dy vitet e mëparshme, duke reflektuar një ndikim të krizës që ka prekur ekonominë nga çmimet e larta.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në fund të muajit korrik arriti në 1.24 trilionë lekë, duke rënë me 0.04 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm (-568 milionë lekë). Rënia vjen pas rritjes së ndjeshme muajin e mëparshëm (+11.1 miliardë lekë).

Nga shtatë muajt e parë të këtij viti, në tre prej tyre kursimet kanë pasur tendencë rënëse. Në krahasim me dhjetorin 2021, depozitat janë zgjeruar me 1.9 për qind. Një vit më parë për periudhën përkatëse rritja ishte gati 4%.

Depozitat në lekë u tkurrën me 0.3% në raport me muajin e mëparshëm (-1.4 miliardë lekë). Në raport me fillimin e vitit kursimet në monedhën vendase janë zvogëluar me 1.8%. Një vit më parë ndryshimi ishte +1.2%.

Rënia e kursimeve në lekë është një tregues indirekt se situata e krijuar në ekonomi nga çmimet e larta po shtrëngon buxhetet familjare, që po detyrohen të shpenzojnë më shumë për të jetuar.

Me pagat dhe të ardhurat që kanë mbetur pothuajse në vend, kjo po u krijon atyre më pak mundësi për të kursyer. Në korrik, inflacioni arriti në 7.5%, duke shënuar nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Në të kundërt, depozitat në valutë vijojnë të kenë tendencë pozitive, duke u rritur me 0.1% në korrik. Në raport me fundin e 2021-t, kursimet në monedhë të huaj, që janë kryesisht në euro janë zgjeruar me 5%.

Rritja është më e lartë, pasi raportimi nga Banka e Shqipërisë bëhet në lekë, ndërsa euro ka shënuar rënie të ndjehme këtë vit, ndaj monedhs vendase.

Në fund të korrikut, depozitat në lekë përbënin 43.7% të totalit, nga 46% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke treguar dominimin e kursimeve në monedhë të huaj në ekonominë vendase./ Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë
Burimi: Banka e Shqipërisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA