Mister në Poloni: Qindra tonë peshq të ngordhur ne brigjet e lumit, zyrtarët pa shpjegim

27/08/2022 14:20

300 tonë peshq të ngordhur mbushin ujrat e lumit Oder, në Poloni, ku autoritetet ende nuk e kanë përcaktuar dot qartë se çfarë po e shkakton këtë masakër mjedisore, teksa kanë paralajmëruar ndërkohë banorët të mos kenë kontakte me ujin.

Pavarësisht hetimeve intensive, ekspertët polakë por edhe nga Gjermania ku kalon gjithashtu ky lumë, nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë saktësisht se çfarë e shkaktoi ngordhjen e peshqve.

Dyshimet kryesore janë se dikush e ka ndotur ujin me një substancë që duket se ka shkaktuar nivele të larta të kripës, e kjo ka krijuar terrenin për një shpërthim të algave atje.

Sipas kësaj teorie, toksinat e lëshuara prej tyre kanë shkaktuar ngordhjen e peshqve duke ndotur më pas ujin. Një reaksion zinxhir vdekjeprurës kimik, i cili, sipas tyre, mund të jetë përkeqësuar nga  verë e nxehtë dhe nivelet e ulëta të lumenjve. Shkaku i vërtetë i fenomenit megjithatë, nuk është zbardhur ende.

Grzegorz Gabrys, profesor në Universitetin e Zielona Gora: Shkalla e kësaj fatkeqësie ekologjike është e paprecedentë në Poloni. Është një katastrofë. Sepse vec peshqve, kanë ngordhur edhe shumë molusqe. Ky lumë për ne, në momentin që flasim, është praktikisht i vdekur.

Policia ka intervistuar më shumë se 200 dëshmitarë dhe ka hetuar në 12 zona. Është ofruar madje edhe një shpërblim prej më shumë se 200,000 eurosh për këdo që jep informacion që do të çonte drejt ndalimit të shkelësve të mundshëm. Peshkatarët në Glivica thonë se kanë parë peshq të ngordhur qe në mars. Ata janë skeptikë nëse fajtorët do të kapen ndonjëherë.

Autoritetet në të dyja anët e lumit Oder i kanë pranuar gabimet në menaxhimin e situatës. Ata pohojnë se është reaguar shumë ngadalë, pavarësisht shenjave se dicka nuk shkonte. Hetuesit, megjithatë, kanë zbuluar rreth 300 tuba kanalizimesh të paregjistruara dhe po hetojnë për të parë nëse rreth 60 prej tyre kanë lidhje me ngordhjen e peshqve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA