Gjigantët e energjisë, francezja TotalEnergies dhe italiania ENI njoftuan zbuluan zbulimin e një burimi masiv gazi në zonën e Mesdheut.
Burimi u gjet 160 kilometra larg brigjeve të Qipros, i treti i zbuluar në këtë zonë. Lajmi vjen në kohën kur Bashkimi Europian po kërkon alternativa ndaj gazit rus teksa Moska shtrëngon rreth tij darën e furnizimeve dhe të çmimit. Ministria qipriote e energjisë njoftoi se vendi dhe kompanitë në fjalë janë duke punuar tashmë mbi mënyrat për të përshpejtuar dhe optimizuar përdorimin e këtij zbulimi të ri, i cili do të kontribuojë sipas saj në përpjekjet e Europës në rritjen e sigurisë dhe pavarësisë së saj energjetike.
Burimi në fjalë cilësohet të ketë një kapacitet shumë të madh. 70 miliardë metrat kub të gjetura deri tani janë të barazvlefshme me thuajse konsumin Italian në një vit, megjithatë sipas ekspertëve kjo përfaqëson vetëm sasinë fillestare, sepse kufijtë e këtij territori ende nuk janë përcaktuar mirë. Përballë kërcënimeve të Moskës me mbylljen e rubinetave të gazit rus, një zbulim i tillë dhe e gjithë zona në fjalë marrin rëndësi të veçantë kur vjen fjala tek burimet natyrore. Prej kohësh diskutohen planet për ndërtimin e një gazsjellësi nga Izraeli, pranë të cilit është zbuluar fusha gjigante e gazit Leviatan drejt Qipros.
Dy vjet më parë, Greqia, Qiproja dhe Izraeli nënshkruan marrëveshjen për linjën gazsjellëse “Eastmed” në pjesën veriore të Mesdheut, me qëllimin të transportohet gaz në Europë nga shteti hebre përmes Greqisë dhe Italisë duke përdorur një tubacion nënujor 1,180 milje me një kapacitet prej 10 miliardë metra kub në vit, i cili shihet dhe si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve turke ne zonë. Disa muaj më parë, qarkulloi ideja se për të ulur kostot e “EastMed”, mund të bëhej lidhja e tij me TAP-in, që kalon nëpër Shqipëri.
Top Channel