Svetlana Timofoeva, Fiodor Mihailoviç dhe Mikhail Zorin dyshohet se kanë ardhur në Shqipëri për arsye spiunazhi dhe për këtë arsye autoritetet shqiptare kanë ngritur 3 akuza ndaj tyre “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .
3 të huajt me pasaportë ruse dhe ukrainas kanë ardhur në vendin tonë nga pika të ndryshme kufitare dhe në kohë të ndryshme. Svetlana Timofeva ka hyrë në Shqipëri nga aeroporti i Rinasit, Fiodor Mihailoviç nga porti i Durrësit së bashku me mjetin ‘chevriole’t dhe Mikhail Zorin nga pika e kalimit kufitar të Muriqanit.
Anëtari i parë i grupit ka ardhur në fillim të gushtit dhe i fundit vetëm 3 ditë para ngjarjen së uzinën e Çekinit në Gramsh. Sipas autoriteteve kjo mënyrë funksionimi e tyre është tipike e grupeve të spiunazhit.
Në morinë e sendeve teknologjike që u janë sekuestruar të arrestuarve ku ka pasur video-regjistrues, dronë e pajisje të tjera filmimi hetuesit kanë gjetur foto dhe video të objekteve ushtarake dhe strategjike jo vetëm në Gramsh por edhe në vende të tjera të Shqipërisë.
Burime të sigurta pranë grupit të hetuesve i thanë Top Channel se prova më e fortë që ata kanë janë disa komunikime që u janë gjetur të arrestuarve mbi të cilat janë ngritur akuzat për spiunazh. Të gjitha gjetjet e autoriteteve shqiptare po konsultohen me ekspertë të NATO-s të cilët po asistojnë në këtë hetim.
Në ndryshim nga 3 të rinjtë rus që mbahen nën arrest, 4 shtetasit çek që u ndaluan në Poliçan pasi kishin thyer perimetrin e sigurisë në kombinatin mekanik të Poliçanit, u lanë të lirë dhe materialet u referuan në prokurori për vlerësim. Gjithsesi këto incidente kanë rritur nivelin e sigurisë në këto objekte.
Pas incidenteve në uzinën e Çekinit në Gramsh dhe kombinatin mekanik në Poliçan masat e sigurisë janë shtuar edhe në Uzinën e Lëndëve plasëse në Mjekës. Përveç ushtrisë në ruajtje të këtij objekti është edhe policia ushtarake.
Çdo hyrje dalje apo qëndrim jashtë rrethimit të uzinës monitorohet nga punonjësit e ushtrisë. Forcat e ushtrisë monitoronin gjithë perimetrin e uzinës të shtrirë mes një zone me bimësi të dendur. Uzina e ndërtuar prej vitit 1962 tashmë nuk prodhon më lëndë plasëse por merret me demontim municioni.
Top Channel