Policia Kufitare e Shëngjinit ka shpëtuar nga mbytja katër pushues që kishin mbetur në det të hapur, me një mjet lundrues skaf, i cili kishte pësuar defekt dhe nuk po ktheheshin dot në breg.
Gjatë patrullimit të zonës, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurtë për pushuesit, shërbimet e Policisë Kufitare janë telefonuar për ndihmë nga disa shtetas, dhe janë njoftuar se mjeti i tyre lundrues skaf kishte pësuar defekt e kishin mbetur në det të hapur, duke mos patur mundësi të ktheheshin në breg.
Menjëherë në ndihmë të tyre, kanë shkuar shërbimet me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, të cilët kanë konstatuar në det të hapur, në “Kune Vain”, në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Drinit”, rreth 1.3 milje larg bregut, në një zonë të vështirë për të manovruar, një skaf me 4 shtetas në të, i cili kishte pësuar defekt dhe nuk lëvizte.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë tërhequr dhe nxjerrë në port mjetin lundrues skaf, bashkë me 4 shtetasit, të cilët janë në gjëndje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare e Shëngjinit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112📞, për çdo rast nevoje për ndihmë, si dhe të denoncojnë në këtë numër dhe në Komisariatin Dixhital📲 çdo rast paligjshmërie.
Top Channel