Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Uzinën e Çekinit të Gramshit (ish-uzina mekanike e Armëve), ku dy rusë dhe një ukrainas kanë sulmuar me spray kimikë ushtarët që ruanin vendin.
Dy ushtarë të identifikuar si Aldo Bici dhe Ardian Caka kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Tiranës jashtë rrezikut për jetën.
Nga informacionet e siguruara nga “Top Channel” bëhet me dije se tre personat janë kapur nga policia dhe ndodhen në komisariat.
Hetimet kanë nisur nën drejtimin e prokurorit Kreshnik Ajazi, nërsa të përfshirë janë edhe Antiterrori, SHISh dhe Shërbimi sekret i Ushtrisë.
Prokuroria thotë se rusët ishin duke bërë foto dhe tentuan të hyjnë në perimetrin e uzinës. Ende nuk është e qartë se çfarë janë apo synimet që kanë pasur.
Në rast se do ishin turistë thotë prokuroria, nuk do reagonin me neuroparalizues, por do hetohet për të mësuar së cilët janë dhe synimet e tyre.
Në uzinën mekanike të armëve në Gramsh nuk prodhohen armë që prej vitit 1993. Më pas pati vetëm montime dhe rregullime të armëve deri në vitin 2004.
Në këtë uzinë më vonë nisi procesi i demontimit të armëve, i cili ka zgjatur deri para një viti. Gjithsesi uzina ka armatime të ushtrisë brenda saj dhe është objekt i rëndësisë së veçantë që ruhet nga ushtria shqiptare.
Si ndodhi ngjarja në Uzinën e Gramshit
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.
Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi, më pas efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai ka nisur të largohet.
Në momentin që personi është ndaluar iu është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar.
Pas kapjes së personave, policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z. 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zonë të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar në komisariat.
Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur.
Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel