Valët e të nxehtit në Mesdhe rrezik për ekosistemin detar

17/08/2022 21:24

Rritja e temperaturave në Detin Mesdhe, thonë ekspertët, nuk është shenjë e mirë. Valët e të nxehtit janë bërë pothuajse të zakonshme në shumë vende të Mesdheut, duke shkaktuar zjarre, thatësira dhe temperatura jashtëzakonisht të larta.

Deti Mesdhe, destinacion i preferuar për turistë nga mbarë bota, aktualisht po përjeton një seri valësh të nxehti, duke dëmtuar rëndë ekosistemet detare dhe duke shkaktuar ngordhjen masive të disa specieve.

Shkencëtarët thonë se ujërat nga Barcelona në Tel Aviv dhe nga Riviera franceze deri në brigjet e Afrikës Veriore, po shënojnë rritje të jashtëzakonshme të temperaturës, që shkon nga 3 deri 5 gradë Celsius mbi temperaturat e zakonshme të shënuara më parë në këtë periudhë të vitit.

Madje, disa ditë temperatura e ujit arriti 30 gradë Celsius. Valët e të nxehtit ndodhin kur temperaturat ekstreme vazhdojnë për një numër të caktuar ditësh dhe nuk ka shi apo erëra.

Valët e të nxehtit në tokë ndikojnë tek krijimi i valëve të të nxehtit në det duke shkaktuar kështu një rreth vicioz, ku valët kanë prirjen që të ushqejnë njëra-tjetrën.
Studiuesi Joaquim Garrabou me Institutin e Shkencave Detare në Barcelonë, thotë se temperaturat ekstreme po bëhen diçka e zakonshme.

“Valët e të nxehtit në Detin Mesdhe janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, dhe kanë përmasa më të mëdha. Dikur episode të rralla, për fat të keq këto valë të nxehti po bëhen normalja e re”.

Sipas një raporti të kohëve të fundit nga një ekip prej 30 shkencëtarësh nga 11 vende të Mesdheut, mes tyre edhe zoti Garrabou, valët e të nxehtit në Detin Mesdhe kanë shkaktuar ngordhje masive të specieve detare midis viteve 2015 dhe 2019.

Raporti vëren se rreth 50 lloje speciesh, përfshirë koralet, sfungjerët dhe makroalgat, u prekën nga ndryshimet klimatike përgjatë brigjeve të Mesdheut, nga Spanja deri në Lindjen e Afërt.

Shkencëtarët thonë se nëse nuk veprohet me shpejtësi, kjo situatë mund të ketë efekte shkatërruese për vendet e rajonit. Efektet kryesore në tokë janë thatësira, humbja e të korrave dhe zjarret shkatërruese. Në det, rezervat e peshkut janë varfëruar dhe industria e turizmit po ndjen pasojat.

“Mendoj se është tepër vonë. Por mund të ndikojmë sado pak. Duhet të bëjmë diçka që gjërat të mos përkeqësohen”, thotë Sabine Ventaouza, turiste nga Parisi.

Valët e të nxehtit detar gjithashtu mund të shkaktojnë stuhi të ashpra në tokë. Hulumtuesi Joaquim Garrabou, thotë se vala e të nxehtit ka prekur më shumë se 90% të sipërfaqes së Detit Mesdhe.

“Tashmë po i shohim pasojat. Po marrim të dhëna nga zona të ndryshme në Mesdhe si Majorka dhe Sardenja. Po vërejmë ngordhjen në shkallë masive të disa specieve. Vala e të nxehtit po dëmton rëndë speciet në thellësi dhe sipërfaqe të detit”.

Disa nga speciet më të prekura janë jetike për ruajtjen e funksionimit dhe biodiversitetit të mjediseve kryesore bregdetare, mes tyre bari i detit dhe koralet. Pavarësisht se përfaqëson më pak se 1% të sipërfaqes globale të oqeaneve, Mesdheu është një nga rezervuarët kryesorë të biodiversitetit detar, që përmban 4 deri 18% të specieve detare të botës.

Sipas punimeve më të fundit shkencore, temperatura e sipërfaqes së detit në Mesdhe është rritur me 0.4 gradë C çdo dekadë mes viteve 1982 dhe 2018.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA