Google ka paditur së fundmi prodhuesin e altoparlantëve Sonos për shkelje të pretenduar të patentave. Në dy padi të paraqitura në gjykatën federale të Kalifornisë, Google pretendon se teknologjia më e fundit e “ndihmës zanore” e Sonos shkel 7 patenta të ndryshme që lidhen me teknologjinë e saj për Google Assistant. Zëdhënësi i Google, José Castañeda tha se:
Sonos ka filluar një fushatë agresive dhe mashtruese kundër produkteve tona, në kurriz të klientëve tanë të përbashkët dhe si rezultat paditë po ngrihen për të mbrojtur teknologjinë tonë dhe për të sfiduar shkeljen e qartë dhe të vazhdueshme të patentave.
Sonos lançoi asistentin e vet zanor në qershor, duke i lejuar klientët të kontrollojnë altoparlantët e tyre duke përdorur komandat zanore duke filluar me shprehjen “Hej Sonos”. Google kërkon një shumë të paspecifikuar dëmesh monetare dhe një urdhër që bllokon shkeljen e supozuar të Sonos.
Paditë vijnë mes një beteje të gjatë ligjore mes dy kompanive, të cilat dikur ishin ortakë. Vitin e kaluar, Komisioni i Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA vendosi që Google shkeli pesë patenta në pronësi të Sonos. Fitorja për Sonos bëri që Google të ndryshojë mënyrën e konfigurimit dhe kontrollit të altoparlantëve të tij inteligjentë.
Rikujtojmë, se Google ka publikuar disa të dhëna, të cilat janë disi shkatërruese kur bëhet fjalë për gjigantin e kërkimit në internet. Më saktësisht, sipas analizës, afër 40% e Gjeneratës Z vendosin të kërkojnë në internet përmes aplikacioneve të njohura TikTok dhe Instagram, krahasuar me kërkimin në Google Search dhe harta. Siç raportohet nga TechCrunch, CEO i Google Sundar Pichai theksoi se ai është i vetëdijshëm se formati TikTok po ndryshon mënyrën se si të rinjtë kërkojnë në internet dhe shtoi se Google dëshiron të vazhdojë me trendet globale.
Top Channel