Pas tragjedisë në Potam, Gledis Nano inspekton me dylbi vijën bregdetare: Mos neglizhoni askënd

06/08/2022 16:06

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, inspektoi mesditën e sotme masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe, të cilat pasojnë tragjedinë e ndodhur pak ditë më parë në plazhin e Potamit, ku 7 vjecarja Jonada Avdia u godit për vdekje nga gomonia në breg të detit.

I shoqëruar nga Drejtori i policisë Lezhë Vehbi Bushati, Nano zhvilloi një takim me efektivët e Stacionit të Policisë Shëngjin dhe më pas me efektivët e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët mbulojnë zonën bregdetare në qarkun Lezhë.

Ai kërkoi nga drejtuesit e strukturave, si dhe nga efektivët, angazhim dhe përkushtim, për zbatimin me rigorozitet të detyrave dhe masave shtesë të caktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim  parandalimin e  ngjarjeve që cënojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve në plazhe e zona turistike.

“Punoni me përkushtim dhe përgjegjësi, pasi detyra që kryeni është sa e vështirë, aq edhe fisnike.

Me punën, angazhimin dhe ndershmërinë tuaj keni në dorë jetën e sigurinë e qytetarëve, imazhin e Policisë së Shtetit, si dhe të vendit në tëresi. Ky është privilegj, po aq edhe përgjegjësi, ndaj mos neglizhoni askënd, cilido qoftë, zbatoni ligjin e vetëm ligjin dhe shërbejuni qytetarëve me përkushtim e humanizëm.”- u shpreh Nano.

Më pas, Drejtor Nano, bashkë me drejtuesit e policisë vendore dhe kufitare, ka inspektuar nga afër masat shtesë.

“Gjatë vrojtimit me dylbi dhe kamera nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues në zonat ku ka pushues. Policia e Shtetit është e vendosur për ta çuar deri në fund këtë operacion masiv të ndërmarrë ndaj mjeteve lundruese, i cili do të kalojë në disa procese verifikimi dhe më pas mjetet lundruese që do të rezultojnë të rregullta, do t’i nënshtrohen rregullave të reja për të zbatuar me rigorozitet largësinë nga perimetri i sigurisë së pushuesve.” thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA