Mjerimi ulet këmbëkryq në tavolinën e ngrënies së më shumë se 795 milion njerëzve në botë, që vuajnë nga uria dhe nga kequshqyerja.
Nga këta, pothuaj gjysëm milionë janë shqiptarë, afro 15% e popullsisë, që jetojnë poshtë minimumit jetik në Shqipëri.
Këta njerëz jetojnë me më pak se 1 Euro në ditë për shpenzimet e tyre personale.
Mesatarisht një familje shpenzon 58.5 % të buxhetit të saj për ushqim.
Por sa më i ulët të jetë ky buxhet, aq më e lartë është përqindja që përdoret për të blerë ushqim.
Ndërkohë që njerëzit vdesin urie, çdo vit në botë 1.3 miliard ton ushqime, gati një e treta e atyre që prodhohen në botë shpërdorohet.
Nga ku 45% e të gjithë totalit janë fruta dhe perime, 35% peshk dhe fruta deti, 30% drithëra, 20% prodhime blegtorale dhe 20% mish.
Shqipëria nuk mbetet mbrapa për sa i përket shpërdorimit, ku humbjet ushqimore llogariten në 30-40% për fruta-perime, nga prodhimi tek tregu; deri në 50% për fruta-perimet nga prodhimi tek eksporti dhe 2% e humbjeve janë nga supermarketet.
Në Shqipëri vijon të shpenzohet shumë për ushqimin, i cili zë rreth 63% të buxhetit të familjeve, ndërkohë që shpenzimet e tjera për shtëpinë zënë një buxhet minimal prej 12%.
Ndërkohë që në zonat rurale shpenzimet për ushqime janë akoma më të larta.
Në familjet e varfra, shifra mund të shkojë deri në 80% të buxhetit për ushqim.
Pasi, sa më pak të ardhura të ketë një familje, aq më shumë do të shpenzojë për ushqim.
Ky zhbalancim duhet që në një farë mase të korrigjohet.
Por sa rëndësi ka shpërdorimi që ne i bëjmë ushqimit, duke e hedhur atë dhe si ndikon tek fëmijët e uritur. Dhe me të vërtetë a ka vlerë?
Le të imagjinojmë pak një tufë bananesh, të cilat janë prodhuar në një vend të varfër, që transportohen nga fundi i botës për të ardhur në Shqipëri apo dhe në çdo vend tjetër të Evropës dhe të shpërdorohet vetëm se është nxirë pak dhe nuk na pëlqen.
Njerëzit në ato zona nuk kanë ushim. Imagjinoni pak t’i shihni në sy këta fëmijë të varfër dhe t’i thoni se ajo bananja e nxirë pak, është hedhur në plehra pa ardhur akoma.
Në Evropë po merren masa legjislative për të parandaluar shpërdorimin dhe hedhjen e ushqimeve.
Në Francë së fundmi është aprovuar një ligj, që e konsideron të paligjshme hedhjen e ushqimeve të ngrënshme nga supermarketet.
Duke filluar nga korriku i vitit 2016, supermarketet në Francë nuk lejohen të hedhin ushqimet para datës së skadencës, por duhet t’ua dhurojnë të varfërve.
Në Itali gjithashtu pritet të kalojë një ligj, që do të rregullojë shpërdorimin e ushqimit.
Po në Shqipëri? Aktualisht në vendin tonë nuk ka asnjë ligj që të detyrojë supermarketet, marketet apo përpunuesit që të kufizojnë humbjet e ushqimit.
Banka e ushqimit
Vërtet në Shqipëri nuk ka një ligj, por ama kemi dhe ne një bankë ushqimi.
Banka e ushqimit është një organizatë jo-fitimprurëse që përdor tepricat e ushqimit që shoqëria prodhon për të ushqyer të varfrit.
Banka e ushqimit siguron ushqim falas nga industria ushqimore, dyqanet me pakicë, supermarketet dhe përmes donacioneve nga programet e ndihmave ushqimore dhe individëve.
Ky ushqim shpërndahet më pas tek organizatat e bamirësisë dhe shërbimeve sociale që mbështesin njerëzit në nevojë.
Bankat e ushqimit nuk luftojnë vetëm çuarjen dëm të ushqimit, urinë dhe varfërinë.
Ato gjithashtu sigurojnë përfitime të vlefshme mjedisore dhe sociale.
Duke përfaqësuar dëshirën e shoqërisë për t’u kujdesur për anëtarët e saj që janë në gjendje të vështirë financiare, dhe veprojnë bazuar në parimet e dhurimit dhe shkëmbimit.
Me rritjen e popullsisë shumë shpejt sigurimi i ushqimit do të kthehet në një sfidë për njerëzim, duke u kthyer gati në ar.
Dhe me shumë gjasa ju nuk e hidhni apo shpërdoroni floririn.
Sipas OKB, nëse sasia e ushqimit të shpërdoruar do të ulej me 25% do të ishte e mjaftueshme për të ushqyer të gjithë njerëzit e kequshqyer.
Mos e lër mjerimin e Migjenit, të ulet në tavolinën e të varfërve.
Mos e hidh në kosh ushqimin, dhuroja atij që ka më nevojë.
Top Channel