Qeveria hapi garën për segmentin Milot Fier, pjese e projektit Korridorit Blu, që lidh Shqipërinë me Greqinë në Jug dhe Kroacinë në veri.
Ky segment rrugor do jete autostrada e parë që do të ketë shpejtësi maksimale deri në 130 km në orë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u ndal tek përfitimet ekonomike që ky sjell projekt.
“Do të linçojmë sot segmentet Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe segmenti tjetër Lekaj–Fier do të hapet sot gara ndërkombëtare. Për segmentin tjetër Thumanë Kashar ka nisur puna, ndërsa për segmentin tjetër Milot Muriqan po presim projektimin nga konsulentët. Në autostradë shpejtësia do të jetë nga 90 deri në 130 kilometra. Përfitimet ekonomike pritet të jenë 2000 të punësuar, 400 milionë euro përfitim, do kemi më pak aksidente, kosto më të ulët për transporti dhe rritje të turizmit pasi shkurtohen distancat nga veriu në Jug. Do të ketë një ndikim të ndjeshëm në ekonominë e vendit”, tha Balluku.
Kryeministri Rama kishte një mesazh për opozitën, e cila kundërshton projektin.
“Më vjen shumë mirë që ta kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, për gjoja një kompani që e kishte fituar përpara, për gjoja një korrupsion të madh e bla, bla, bla rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit dhe në interes të pjesës që ne përfaqësojmë”, tha Rama.
Zëvendës kryeministrja Balluku dha detaje për rrugës se Arbrit dhe avancimin e tunielit të Murrizit.
“Si tuneli kryesor, si ai ndihmës vijon me ritme të avashta por konstante por besojmë se brenda 17 muajve do të dorëzohet dhe tuneli i Murrizit. Kontratës së rrugës së Arbrit nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, tha Balluku.
Kryeministri Rama paralajmëroi se së shpejti do të hapet gara edhe për aeroportin e Sarandës.
Top Channel