Një javë pas kërkimeve për gjetjen e nënës së dy fëmijëve të mitur, një 30-vjeçareje nga Durrësi, policia ka arrestuar në orën 4 të mëngjesit të së martës, 2 gusht, 32-vjeçarin nga Karbunara e Lushnjes Marius Musaku. Gruaja e re që nga data 25 korrik kur u deklarua e humbur nga bashkëshorti, që kërkoi ndihmën e policisë dhe publikut përmes rrjeteve sociale, kishte qëndruar në zonën e Spitallës. Në një banesë ku jepen dhoma me qira.
Në polici Musaku ka deklaruar se ka pasur njohje dhe pëlqim reciprok me të renë, por është kundërshtuar prej saj bashkëjetesa që ai i ka kërkuar. Pas kundërshtimit të saj, ai e ka mbajtur pa dëshirë në banesën e Spitallës, duke e kërcënuar, sipas deklarimeve të saj, me jetën e bashkëshortit dhe dy fëmijëve në rast se nuk do të pranonte të jetonin bashkë.
Nga hetimet e para rezulton se Musaku, person me precedentë penale në marrëdhënien me ish-bashkëshorten e tij, e ka mashtruar dhe joshur 30-vjeçaren dhe pasi kanë shkuar në banesë i ka kërkuar që të bashkëjetojnë.
Familjarët kanë rënë në gjurmët e Ersidës që në fundjavën e kaluar dhe në një komunikim me TCH kanë pohuar se ajo është në gjendje të mirë. Kanë mundur të marrin informacion për vendndodhjen e saj. Pas arrestimit të Musakut, bashkëshorti i 30-veçares deklaroi se nuk kanë asgjë për të deklaruar pas kësaj ngjarjeje, që i ka tronditur rëndë, ndërsa e shoqja ndodhet në gjendje të mirë dhe është kthyer në banesë.
Ndaj Musakut rëndon akuza e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Shtrëngim për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë”, si dhe“Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Me arsim 8-vjeçar dhe i divorcuar, Musaku ka tentuar të krijojë një marrëdhënie të re me 30-vjeçaren, ndërsa në nëntor të 2018-s, kishte marrë peng për 24 orë dhe ish- bashkëshorten nga shtëpia e prindërve, e cila i kishte kërkuar në atë kohë divorcin.
Në të dyja rastet rezulton se i riu nga Lushnja ka reaguar në të njëjtën mënyrë të paligjshme ndaj kundërshtimit që ka marrë nga gratë për të cilat ka pasur interes.
Top Channel