Sot afati fundit për regjistrimet! Klasat e para dhe të dhjeta me numër të ulët aplikimesh, prindërit kanë vështirësi me e-albania

31/07/2022 20:26

Fëmijët presin me padurim që të nisin pas parashkollorit, klasën e parë, por që prindërit po hasin vështirësi me regjistrimin në e-albania.

“Djali është 6 vjec, doja ta regjistroja por nuk di. Shumë e vështirë me e-albania. Me duhet kodi, unë e kam harruar dhe s’po e regjistroj dot. Edhe portali mbyllet, s’di si do ia bëj… ka qenë me kollaj me regjistrimin te shkolla aty ku doje.”- tha një prind

31 korriku është afati i fundit i aplikimit online për regjistrimet në klasë të parë dhe në klasë të dhjetë, proces i cili u zgjat pas sulmit kibernetik që i ndodhi e-albanias, mirëpo pavarësisht shtimit të ditëve, jo të gjithë prindërit kanë aplikuar.

Edhe pse Ministria e Arsimit refuzoi të jap të dhëna për numrin e aplikimeve, me argumentin se po merr kohë për grumbullimin e të dhënave, Top Channel mëson nga drejtuesit e shkollave se numri i aplikimeve është i ulët, ende nuk është mbushur as 50%.

Disa prindër janë me pushime brenda apo jashtë vendit dhe kanë neglizhuar aplikimin, ndërsa ka edhe prindër që refuzojnë të aplikojnë online dhe qendrojnë në pritje të hapjes së një faze të dytë për ti regjistruar fëmijët fizikisht në institucionet arsimore me performancë të lartë atje ku ata duan, pasi e-albania iu përcakton automatikisht shkollën më të afërt sipas vendbanimit për klasat e para, ndërsa regjistrimet në gjimnaze bëhen në varësi se ku nxënësit kanë mbaruar 9-vjecaren.

“Do e shty për vitin tjetër, kështu si u bë puna.”- tha një prind

Në këtë situatë kur historia përsëritet me dështimin e aplikimeve online si vjet, a do të njoftojë Ministria e arsimit shtyrjen e regjistrimeve sërish? Kapacitetet e shkollave ende nuk janë mbushur dhe jashtë kamerave drejtuesit e institucioneve arsimore kërkojnë një fazë tjetër aplikimesh që merr parasysh të gjitha rastet e regjistrimeve, në të kundërt mësuesit rrezikojnë vendin e punës ose do të detyrohen të japin mësim në disa shkolla…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA