Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se do të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të ruajtur mjedisin e sigurt në Kosovë dhe janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.
Forcat e KFOR-it i bënë këto komente në një komunikatë pas tensioneve në veriun e Kosovës ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Në komunikatën e KFOR-it thuhet se situata e përgjithshme në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. “Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja po vëzhgon nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria, në përputhje me mandatin e tij, që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit tyë Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Në njoftim thuhet se KFOR-i është plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa “komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të Mbrojtjes”.
NATO-ja, thuhet më tej, vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat.
“Kjo është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale”, thuhet në njoftim në të cilin nënvizohet se “KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij”.
Policia e Kosovës tha se mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një fjalim të shpërndarë në rrjetet sociale tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç janë përgjegjësit kryesor për zhvillimet në veri.
“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, tha ai.
Më herët të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka asnjë arsye për shtim tensionesh në Kosovë për shkak të zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia kurrë nuk ka qenë në situatë më të rëndë dhe më të ndërlikuar lidhur me Kosovën.
Nga e hëna të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.
Po nga e hëna më 1 gusht rrjedh afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.
Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.
Tensionet midis dy vendeve janë të lartë ndërsa rreth 4 mijë trupa të NATO-s kujdesen për paqen edhe 23 vjet që nga përfundimi i luftës me ndërhyrjen e aleancës perëndimore që u dha fund mizorive të forcave serbe.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.
Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore./VOA
Top Channel