U kap me 60 kg kokainë, kontrolli i celularit “fundos” marinarin rus në Durrës: Iu gjetën materiale pornografike me fëmijë

30/07/2022 11:05

Është arrestuar nga policia e Durrësit një marinar ris i anijes me qymyr ku në muajin maj u gjetën 60 kg kokainë.

Mësohet se arrestimi i tij nuk ka lidhje me kokainën, por me materialet pornografike me të mitur që i janë gjetur në aparatin e tij celular.

I arrestuari është Gregory Gorbunov, ndërsa rrestimi i tij vjen pas vendimit për heqjen e sekuestros ndaj anijes Unistream dhe kthimin e pasaportave pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes.

Policia e Durrësit bën me dije se arrestimi i inxhinierit të dytë të anijes, 42-vjeçarit rus G. Gorbunov u krye në zbatim të urdhrit të gjykatës e cila ka vendosur masën e sigurisë ”arrest në burg” për veprën penale të pornografisë.

Prej afro dy muajsh pasaportat dhe sendet e tjera të ekuipazhit të anijes Unistream kanë qenë nën sekuestro dhe pikërisht në telefonin e shtetasit rus Gorbunov janë gjetur mesazhe, foto dhe video pornografike me të mitur.

Për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka çështja është vënë në dijeni dhe ambasada ruse. Ndërkohë policia ka arrestuar pjesëtarin e ekuipazhit në funksion të hetimit të nisur ndaj tij deri në një vendimmarrje mes palëve për hetimin.  Anija u vu nën sekuestro në muajin maj, pasi gjatë kontrollit në portin e Durrësit, u zbulua një sasi prej 60 kg kokainë.

Edhe sendet personale dhe pasaportat e ekuipazhit u bllokuan për të zbuluar përfshirjen e secilit prej tyre në trafikun e kokainës.  Përfaqësues të shoqërisë së transportit dhe avokati shqiptar patën kërkuar në SPAK dhënien e pasaportave  për marinarët e bllokuar për 2 muaj brenda anijes pa mundësi largimi prej saj, pasi përgjatë kësaj kohe nuk u gjetën prova të arsyeshme se ata apo kompania e transportit është përfshirë në trafikun e kokainës, që u kap më 17 maj në port.

Anija Unistream vinte nga porti i Baranquillas në Kolumbi dhe për shkak të rriskut të lartë që kanë transportet e mallrave nga Amerika Latine iu nënshtrua kontrolleve në Durrës. Gjatë zhvendosjes së ngarkesës me qymyr u zbulua sasia e drogës, kokainë ishte e ndarë në 53 pako, të futura në dy çanta.

Kjo është vendndodhja aktuale e anijes që pas marrjes së furnizimeve do të largohet sot nga porti i Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA