Gjykata e Durrësit la të lirë të enjten, edhe 8 të arrestuarit e tjerë për zhdukjen e 49 arkave me banane në portin detar.
Nga 20 të arrestuarit e policisë, nuk ka mbetur më askush në qeli. Prokurori i çështjes Afrim Shehu ka kërkuar nga gjykata e Durrësit zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitjeje, si dhe heqjen e masës së sigurimit me karakter ndalues “pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik” për punonjësit e forcës së sigurisë portuale, që u lanë me detyrim paraqitjeje gjatë seancës për vleftësimin e arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, që u mbajt më 19 korrik.
Kështu janë lënë të lirë 2 punonjësit e kompanisë Zico sh.a. për llogari të së cilës kishte ardhur ngarkesa me bananet “Jumbo Bana King” Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata, operatori i terminalit të kontenierëve Gentian Halili dhe 5 efektivët e Forcës së Sigurisë Portuale Skënder Plaku, Shefqet Elezi, Profit Tola, Rajd Bleta dhe Gjergji Doraci.
Prokurori kërkoi gjithashtu dhe heqjen e masës së pezullimit nga detyra për punonjësit e FSPD-së Armand Murataj, Adi Qejvanaj, Shpëtim Hajdini, Adem Brasha, Veis Kuci dhe Jurgen Gjeçi duke lënë në fuqi për ta vetëm masën e detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore.
Ndërkohë hetimet për të zbardhur fatin e arkave të zhdukuara nga konteineri me banane brenda zonës doganore të portit të Durrësit, po vazhdojnë. Konteineri rezultoi i hapur mbrëmjen e 16 korrikut dhe gjatë aksionit të ndërmarrë nga Task Force në port përfunduan në pranga 20 persona në portin detar të Durrësit. Konteineri me banane kishte mbërritur në portin detar të Durrësit më 8 korrik dhe ishte magazinuar në zonën doganore të territorit të terminalit të konteinerëve, në pritje të zhdoganimit.
Nga hetimet rezulton se ngarkesa ishte porositur në Kolumbi dhe kishte bërë ndalesa në 2 porte të tjera tranziti, në Spanjë dhe Itali, para mbërritjes në Durrës ku kontenieri u konstatua pa plumbçen e sigurisë dhe nga kontrolli fizik i ngarkesës rezultoi mungesa e 49 arkave me banane brenda tij. Akuzat e ngritura ndaj personave nën hetim janë për “Shpërdorim detyre” dhe “Hapje, thyerje dhe zëvendësim të shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore”, ndërsa për dy punonjësit e kompanisë “Zico” është ngritur dhe akuza e “Kontrabandës me mallra të tjerë”.
Hetimet e deritanishme për arkat e zhdukura nuk kanë nxjerrë në pah prova që përfshijnë drejtpërdrejt të akuzuarit për zhdukjen e arkave ku dyshohet të ketë pasur kokainë. Ndërkohë që hetimet vijojnë prokurori ka vlerësuar provat e deritanishme dhe faktin se rrezikshmëria për të dëmtuar provat nga ana e 8 personave që patën mbetur në qeli nuk ekziston ndaj u kërkua zëvendësimi i saj me një masë më të butë, që u pranua nga gjykata.
Top Channel