Sekuestrohen pronat e trafikantit/ Ndërtuesi i “Rindërtimit” i dënuar nga Spanja për drogë, SPAK i bllokon pronat

28/07/2022 19:33

Një nga përftuesit e fondeve publike për procesin e Rindërtimit doli i humbur në SPAK , pasi me urdhër të prokurorëve të posaçëm iu bllokuan atij dhe familjarëve më të ngushtë 23 asete pasurore.

Anton Gjinaj , i moshës 56 vjeç iu nënshtrua hetimit pasuror sipas ligjit antimafia pasi sipas njoftimit zyrtar të SPAK, rezulton i provuar një vendim fajësie që e dënon me tetë vjet e nëntë muaj burgim.

SPAK bëri publike vendimin e sekuestrostreve dy muaj pasi çeli procedimin. Anton Gjinaj sipas prokurorisë u dënua 12 vite më parë nga Gjykata Provinciale e Alicante në Spanjë për krimin e trafikut të drogës në kuadër të grupit kriminal. Një vit pas këtij vendimi, i dyshuari ndryshoi emrin në Shqipëri nga Pashuk në Anton.

Sipas hetimit të SPAK, 56-vjeçari nuk i justifikon pasuritë dhe për këtë shkak dyshohet se i ka vendosur nga veprimtaria kriminale mes Shqipërisë dhe Spanjës. Gjithsej janë sekuestruar gati 20 mijë metra katrorë truall, 6 shoqëri te përfaqësuara nga i hetuari i drejtësisë spanjolle dhe që kanë si fushë veprimi ndërtimin, midis tyre, edhe Alesio që është shpallur fitues në tenderat e Rindërtimit, ndonëse ligji e ndalon përfshirjen në garë të subjekteve dhe personave të dënuar.

Autoritetet spanjolle kryen një hetim antidroge gjatë vitit 2006 ku dhe goditën një grup të trafikut të pothuajse 50 kilogramë heroinë dhe midis tyre u vlerësua me rol edhe 56-vjeçari që së fundmi u katapultua në Shqipëri si biznesmen, deri ditën kur ai u ndalua nga autoritetet malazeze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA