Përzgjidhet ekipi drejtues që do udhëheqë integrimin e dy kompanive
Pikat kryesore:
4iG Plc. emëroi menaxhimin e përbashkët të kompanive.
Bashkimi i One Telecommunications dhe ALBTelecom tashmë ka nisur. Aksioneri kryesor, 4iG International, ka emëruar Drejtor Ekzekutiv Emil Georgakiev dhe ekipin e ri që do të drejtojë njëkohësisht One Telecommunications dhe ALBtelecom në procesin e integrimit të dy kompanive. Bashkimi i departamenteve të ngjashëm si edhe unifikimi i grupeve të punës të të dyja kompanive do të jetë detyra kryesore e drejtorëve të sapo emëruar.
Ekipi i ri menaxherial përbëhet nga drejtuesit ekzistues të kompanive. Irida Bonati emërohet zv. Drejtore Ekzekutive dhe Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore. Në rolin e Drejtorit Ligjor, Rregullator dhe Përputhshmërisë është emëruar Ervin Shpori. Në pozicionin e Drejtorit Financiar Borislav Borisov; Drejtor i Teknologjisë Ilir Duka. Svetoslav Nanchev në pozicionin e Drejtorit të IT-së; Indrit Daci në pozicionin e Drejtorit Komercial për Biznesin; Athanasios Paraskevas në pozicionin e Drejtorit Komercial për Konsumatorët; Ornela Bego do të drejtojë departamentin e Marrëdhënieve të Korporatës dhe Komunikimit; Iris Pekmezi do të vazhdojë karrierën e saj si zv. Drejtore e 4iG për Ballkanin Perëndimor dhe Jonilda Filipi, në rolin e Drejtores së Komunikimit të 4iG për Ballkanin Perëndimor.
“Ne kemi shumë besim te profesionalizmi i ekipit të përbashkët menaxhues, të cilët kanë aftësitë për ta shndërrruar në sukses bashkimin e kompanive. Objektivi i drejtuesve të rinj është i qartë: pas bashkimit, ne synojmë të jemi lider në tregun shqiptar.” – theksoi Gellért Jászai.
“Emërimi i tyre është një hap i rëndësishëm në transformimin e dy kompanive. Unë personalisht jam i sigurt se ky ekip do të sjellë sukses afatgjatë për kompaninë, edhe pas integrimit.” – shtoi Kryetari i Bordit në 4iG Plc.
Bashkimi i dy kompanive do të sjellë produkte dhe shërbime cilësore në 4P (rrjet i lëvizshëm, rrjet fiks, TV dhe internet). Punonjësit e One Telecommunications dhe ALBtelecom kanë përvojë dhe ekspertizë të gjerë, për këtë arsye 4iG International ka marrë vendimin të themelojë qendrën e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, nga ku do të menaxhohet portofoli rajonal i Grupit.
Emil Georgakiev është Drejtor Ekzekutiv i ONE Telecommunications që nga muaji maj 2019. Ai gëzon një përvojë prej më shumë se një dekade në fushën e telekomunikacionit, duke qenë se ka mbajtur pozicione të ndryshme në Vivacom, operatorin më të madh të telekomunikacionit në Europën Juglindore. Përgjatë karrierës së tij, Z. Georgakiev ka fituar një eksperiencë të gjerë dhe të specializuar në këtë fushë, duke dhënë kontributin në një sërë zhvillimesh strategjike në kompani. Ai është diplomuar në Universitetin Teknik të Varnës në Bullgari, dhe që atëherë, ka ndjekur karrierën e tij në teknologji.
Irida Bonati u diplomua në Universitetin e Tiranës për Administrim Biznesi. Në fillimet e së saj në AMC Group ajo u promovua si Drejtuese e Seksionit të Burimeve Njerëzore. Znj. Bonati mban gjithashtu një diplomë master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Tiranës. Znj, Bonati fillon karrierën e saj në ALBtelecom në vitin 2008, ku mbajti disa pozicione drejtuese, si Drejtuese për Menaxhimin e Operacioneve të Kompanisë në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Çështjet Administrative, Menaxhimin e Cilësisë, Pasuritë e Paluajtshme dhe Qiradhënieve të pronave të ALBtelecom. Së fundmi ajo ka qenë Zëvendësdrejtoreshë Ekzekutive dhe Drejtore Operative e ALBtelecom.
Ervin Shpori është diplomuar në vitin 2000, në Fakultetin e Drejtësisë, në Shkodër me gradën Master dhe gjithashtu në vitin 2006 në Fakultetin Ekonomik po në këtë universitet. Z. Shpori fillimisht iu bashkua kompanisë ALBtelecom me detyrën e juristit, në mars të vitit 2001 dhe më pas në vitin 2008 u emërua Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Ligjore të kompanisë. Prej vitit 20014, mban detyrën e Drejtorit të Grupit Ligjor, Rregullator dhe Konkurrencës. Ai ka më shumë se 20 vite përvojë profesionale me ALBtelecom dhe së fundmi ishte emëruar Drejtor Ekzekutiv i komanduar i ALBtelecom.
Borislav Borisov është Drejtori Financiar dhe njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues të ONE Telecommunications. Ai ka mbajtur pozicione ekzekutive në disa prej kompanive më të mëdha në fushën e financës dhe të telekomunikacionit në Bullgari.
Ekspertiza e tij në fushën e financës dhe të teknologjisë ka bërë që Z. Borisov të hartojë dhe implementojë me sukses modele të reja biznesi në vendin e tij. Ai ka kryer studimet pasuniversitare Master në Financë, Kontabilitet dhe Kontroll Financiar, si edhe në Administrim Biznesi në nivel Ekzekutiv.
Ilir Duka është Drejtor Rrjeti në One Telecommunications sha. Ai është pjesë e kompanisë prej më shumë se 24 vitesh dhe ka një përvojë të gjatë profesonale në fushën e telekomunikacionit. Z. Duka iu bashkua kompanisë si inxhinier për planifikimin e rrjetit që në krijimin e saj në vitin 1995. Më pas, ai u emërua Manaxher për Planifikimin & Optimizimin e Rrjetit, dhe nga viti 2005 deri në vitin 2018 ka drejtuar Departamentin e Inxhinierisë së Radio & Transmetimit. Në këtë kohë, ai u emërua Drejtor i Divizionit Teknik & TI-së, një rol i përkohshëm deri në shitjen e kompanisë te Grupi ATI. Përgjatë karrierës së tij, Z. Duka ka udhëhequr modernizimin teknologjik dhe zgjerimin e rrjetit të One. Ai është diplomuar në degën e Telekomunikacionit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës dhe ka kryer gjithashtu studimet pasuniversitare Master në degën e Administrim Biznesit pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.
Svetoslav Nanchev është drejtor IT në One Telecommunications. Ai është i specializuar në Infrastrukturën e TI-së dhe Sistemeve të Mbështetjes së Biznesit dhe ka një përvojë më shumë se 10-vjeçare në sektorin e Telekomit. Me njohuritë e tij nga Vivacom Bulgaria në menaxhimin e një infrastrukture në shkallë të gjerë, IT Network, Data Base, IT Security, Microsoft Technologies, virtualization VMware, Business Intelligence dhe Data Warehousing, Z. Nanchev është një aset i vlefshëm në transformimin IT-së të kompanisë sonë dhe në zbatimin e sistemeve të integruara. Ai Nançev është diplomuar në Universitetin UNIBIT në Bullgari për Sisteme Informative Kompjuterike.
Indrit Daci pasi mbaroi MBA-në në Universitetin Modena dhe Reggio Emilia punoi në sektorin financiar dhe logjistik, ku drejtoi në pozicionin e CEO-s një firmë tregtare shqiptaro-italiane. Ai iu bashkua ALBtelecom në vitin 2009 si Shef i Stafit për CEO-n e kompanisë, më pas si Drejtor i Shitjeve me Pakicë. Në vitin 2012 ai u bë Drejtor i Shitjeve me Pakicë i Eagle Mobile dhe Drejtor i Rrjetit dhe i Shitjeve me Pakicë të ALBtelecom. Z. Daci drejtoi bashkimin dhe integrimin e Eagle në ALBtelecom. Nga viti 2014 Z. Daci kontribuoi në disa pozicione drejtuese brenda kompanisë si: Drejtor i Përgjithshëm i Shitjeve, Drejtor i Grupit të Biznesit të Konsumatorëve, Koordinator i Grupit të Tregtisë me Shumicë, Marrëdhënieve Ndëroperatore dhe Zhvillimit të Biznesit dhe së fundmi Drejtor i Shitjeve (CSO) në ALBtelecom.
Anthanasios Paraskevas është Drejtor Komercial i One Telecommunications për Konsumatorin. Ai është i specializuar në aktivitete komerciale, shitjeje dhe shpërndarjeje dhe ka një përvojë më shumë se 15 vjet në industrinë e telekomunikacionit. Duke qenë aktivisht i pranishëm në tregun shqiptar prej më shumë se 8 vitesh, njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare të kombinuara së bashku, do të kontribuojnë në realizimin e strategjisë sonë për t’u bërë operatori i preferuar dhe më i besuar në tregun shqiptar. Z. Paraskevas është diplomuar në Universitetin Teknik të Patrës në Greqi për Inxhinieri Mekanike. Ai ka një diplomë Master i Shkencave në Inxhinieri me Ndihmë Kompjuterike në Universitetin Staffordshire, Mbretëria e Bashkuar. Ai gjithashtu zotëron disa çertifikime si Certifikimi Imperativ Dixhital në Cisco, Pajisjet e Rrjetit Cisco dhe Dizajnimi i rrjeteve Cisco.
Ornela Bego Drejtore e Marrëdhënieve të Korporatës, ka përgjegjësi strategjinë dhe aktivitetet e Përgjegjësisë së Korporatës dhe mbulon të gjitha komunikimet e jashtme dhe të brendshme, duke koordinuar veprimet me politikat e përgjithshme të One Telecommunications. Në të njëjtën kohë drejton kontributin shoqëror të kompanisë ndaj komunitetit.
Përpara se t’i bashkohej One Telecommunications në vitin 2011, Znj. Bego ka mbajtur pozicione të rëndësishme në median e shkruar dhe audiovizive për më shumë se 10 vjet. Ajo ka menaxhuar shumë projekte të rëndësishme konsulence në fushën e Marrëdhënieve me Publikun dhe Publicitetin për kompani dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.
Iris Pekmezi Drejtoree e Departamentit Ligjor dhe Privatësisë së të Dhënave në One Telecommunications sha, që prej vitit 2019. Ajo ka përgjegjësinë për kordinimin e të gjitha çështjeve ligjore dhe zbatimin e legjislacionit dhe strategjive për mbrojtjen e të dhënave në përputhje me legjislacionin shqiptar. Znj. Pekmezi është një juriste me përvojë dhe me një historik të gjatë profesional në industrinë e telekomunikacionit. Ajo është pjesë e kompanisë që nga viti 2002, dhe që atëherë, ka dhënë kontributin e saj në rrugëtimin e kompanisë. Irisi ka qenë edhe anëtare e Bordit të Drejtorëve të ONE. Znj. Pekmezi ka kryer studimet universitare për Drejtësi pranë Universitetit Aristotelio në Greqi dhe zotëron një master profesional në të Drejtën Europiane për Biznes nga Universiteti i Tiranës.
Jonilda Filipi ka një eksperiencë të gjerë në fushën e Komunikimit të Korporatave dhe Marrëdhëniet me Publikun, në industri të ndryshme si telekomunikacioni dhe konsulenca menaxheriale. Ajo u diplomua në gazetari Bachelor/Master në Universitetin e Tiranës, në Gazetari. Më pas, përfundoi studimet pasuniversitare në Ekonomi dhe Politika Publike në Universitetin Georgetown, Washington DC. Znj. Filipi drejtoi në 5 vitet e fundit Departamentin e Çështjeve të Korporatës në ALBtelecom. Ajo ka kontribuar si gazetare e lajmeve ekonomike në Shqipëri dhe rajon. Ajo është autore e publikimeve, studimeve, kërkimeve me orientim biznesi në disa faza të karrierës së saj. Ajo është mbështetëse dhe entuziaste ndaj zhvillimeve në fushën e startupeve në Shqipëri dhe ka kontribuar si vullnetare në disa konkurrime në fushën e start-up-eve.
4iG Plc me bazë në Budapest është integruesi kryesor i sistemeve të TI-së në Hungari me interesa të rëndësishme në tregjet vendase dhe rajonale të telekomunikacionit. Kompania ka qenë e pranishme në tregun e teknologjive inovative IT të pavarura nga industria për më shumë se 27 vjet. Kompania po zgjeron vazhdimisht shërbimet dhe portofolin e saj për të përmbushur nevojat dhe kërkesat në ndryshim të tregut të informacionit të komunikimit. Grupi punëson më shumë se 6,500 njerëz. 4iG është një ofrues zgjidhjesh me spektër të gjerë me interesa të rëndësishme në IT, telekomunikacion, telekomunikacion satelitor dhe zhvillimin e infrastrukturës së telekomunikacionit. Kompania, e listuar në Bursën e Budapestit, synon të krijojë një pozicion dominues në treg në një gamë të gjerë shërbimesh të komunikimit të informacionit në Hungari, Evropën Qendrore Lindore dhe Ballkanin Perëndimor. 4iG është një nga investitorët më të mëdhenj të sektorit shqiptar të telekomunikacionit. ww.4ig.hu/home
ONE Telecommunications sh.a. është operatori i dytë më i madh celular në Shqipëri dhe ka rritur gradualisht pjesën e tij të tregut gjatë periudhës së fundit. Kompania ka 137 pika shitjesh në pronësi të kompanisë, me 70 partnerë të tjerë që shesin shërbimet e ONE. Mbulimi LTE/4G i 98.5 për qind të popullsisë sigurohet nga 632 kulla transmetuese, të cilat janë gjithashtu të afta të operojnë teknologjinë 5G pasi të plotësohen kërkesat ligjore. ONE ka gjithsej 1.36 milionë abonentë celularë në një treg prej 2.68 milionë, nga të cilët 1.1 milionë ishin përdorues aktivë në tremujorin e tretë të vitit 2021. One Telecommunications është filial i 4iG Group. https://one.al/
ALBtelecom është kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri, lider në treg në shërbimet e internetit fiks dhe rrjetit që i shërben atij, si dhe një operator i madh celular. Kompania ka gjithsej 788,000 abonentë, nga të cilët 168,000 janë me zë fiks, 129,000 janë internet fiks, 71,000 janë TV fiks dhe 420,000 janë abonentë të telefonisë celulare, ALBtelecom ka regjistruar një diferencë të qëndrueshme EBITDA në vitet e fundit me rreth 30 për qind të ardhura prej 57.9 milionë euro. Sipas parashikimit të vetë kompanisë, të ardhurat, EBITDA dhe rentabiliteti do të rriten në vitet në vijim, me marzhin EBITDA që mund të arrijë në 37 për qind deri në vitin 2023. ALBtelecom është filial i Grupit 4iG. www.albtelecom.al
Top Channel