Tirana e dyta në Europë në destinacionet e verës së këtij viti, i cili riktheu udhëtimet në mbarë globin, pas mbylljes së gjatë të pandemisë.
Raporti i perspektivës së udhëtimeve për vitin 2022 nga Forward Keys zbulon se kryeqyteti shqiptar është në top listën e 10 vendeve më të vizituara për 3-mujorin e tretë të këtij viti, ku në vend të parë është Antalia e resorteve turistike, ndërsa Tirana e dyta, duke lënë pas edhe Mikonos, ishullin aventurës, apo të tjera destinacione magjike.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka postuar raportin, veçon faktin se Tirana, edhe pse nuk ka plazhe ekzotike, është ndër më të vizituarat sot në Europë.
“Dëgjo, dëgjo! Tirana është numri 2 në Europë këtë verë dhe nuk është as ishull, nuk ka as det,” shkruan Veliaj.
Sipas Forward Keys, preferenca aktuale për pushimet verore ilustrohet nga një krahasim i dhjetë destinacioneve më të mira të plazhit dhe atij urban në Europë, të renditura sipas rezervimeve të fluturimeve në tremujorin e tretë krahasuar me vitin 2019. Lista kryesohet nga Antalia, me një rritje prej 81%, Tirana 36%, Mikonos, 29%, ndërsa në listën urbane katër destinacionet kryesore janë: Napoli, Stambolli, Athina dhe Lisbona.
Top Channel