Pritje me orë të tëra për të hyrë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, përmes pikës kufitare Tabanoc.
“…kur arrin, të them te pragu i shtëpisë, nuk është e drejtë të pritet kaq gjatë për kot, sepse në sytë e mi kjo pritje prej orësh është e kotë”, thotë Azir Hani, i cili bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët tregon se ka udhëtuar nga Zvicra, për t’i kaluar pushimet në Maqedoni të Veriut.
“Gjithë Evropën e kalova dhe ja, tani këtu po qëndrojmë me orë. Kjo nuk ka kuptim”, thotë një tjetër mërgimtar, i cili u identifikua vetëm si Jane.
“Në kufijtë e tjerë rastis që të kesh një ose, e shumta, tri vetura para teje, kurse këtu shihni se sa e gjatë është kolona”, thotë ai.
Shqipe Ameti, nga Presheva – komunë në jug të Serbisë – thotë se i ndodh që brenda javës të vizitojë dy herë familjarët që i jetojnë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
“Nga Presheva deri në Kumanovë rruga është një orë, kurse tri orë i humb në kufi”, thotë Shqipja, sipas së cilës, këto pritje në temperatura mbi 35 gradë celsius ndodhin “pa nevojë”.
Megjithatë, sipas autoriteteve maqedonase, pritjet janë pasojë e fluksit më të madh të qytetarëve që kalojnë kufirin gjatë muajve të verës.
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë së Veriut tha në njoftimin e së mërkurës se pritja në vendkalimin e Tabanocit zgjat rreth një orë.
Aktualisht, në këtë pikë funksionojnë pesë korsi për makina, dy për kamionë dhe një për autobusë.
Nga fillimi i korrikut ka qenë e paraparë që kontrollet e udhëtarëve dhe makinave të bëheshin vetëm në njërën pikë – domethënë, ata që hyjnë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut të kontrollohen vetëm në pikën doganore të Maqedonisë së Veriut.
Por, marrë parasysh se sistemi i integruar i kalimit kufitar nuk është ende në funksion, pasagjerët i nënshtrohen kontrollit të pasaportave në pikat e kontrollit edhe të Serbisë, edhe të Maqedonisë së Veriut.
Hapja e sistemit “One Stop” apo “Një ndalesë” në Tabanoc është promovuar qysh në vitin 2019 nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Atëbotë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tha se kishte ndarë 2.8 milionë euro nga arka e shtetit për realizimin e këtij projekti.
Megjithatë, gjendja në terren duket ndryshe.
“Kamionin e kam të ngarkuar me kumbulla… Më thoni ju tani, në këto temperatura që janë mbi 35 gradë, nëse është në rregull që të pres… Malli sa s’është prishur nga i nxehti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Goran Tanev, transportues, duke treguar se është lënë të presë për më shumë se dy orë.
Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë – si vende të nismës së njohur si Ballkani i Hapur – kanë rënë dakord, madje, edhe për një korsi të veçantë në Tabanoc për qytetarët e këtyre tri vendeve.
Ndonëse nga zyrtarët është thënë se ajo do të përshpejtojë qarkullimin e udhëtarëve dhe të mallrave, një shofer kamioni shprehet pesimist:
“Çfarë Ballkani i Hapur, asgjë nuk funksionon në praktikë. Radhët mbeten të gjata”, thotë Time Iliev.
Drejtoresha e Drejtorisë së Doganave në Maqedoninë e Veriut, Sllavica Kutirov, thotë se po punohet në drejtim të hapjes së një korsie të veçantë për vendet anëtare të Ballkanit të Hapur, por nuk saktëson se kur do të mund të vihet në funksion.
Në anën tjetër, Bilana Muratoska, nga Asociacioni i Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, Makam-Trans, thotë se nuk pret që transportuesit të kenë ndonjë përfitim të dukshëm nga marrëveshjet që bëjnë udhëheqësit e Ballkanit të Hapur sa i përket lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.
“Në Tabanoc kemi dyfishim të detyrave, inspektimi bëhet nga njëra palë, ashtu siç bëhet edhe nga pala tjetër – pra ajo maqedonase dhe ajo serbe dhe anasjelltas, pavarësisht se tani janë në një pikë të përbashkët kufitare”, thotë Muratovska për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, gjendjen e përmirëson vetëm kontrolli përmes një sistemi të unifikuar të të dhënave – e, nëse ndonjëherë do të arrihet deri këtu, mbetet të shihet./Rel
Top Channel