Ky është 40-vjeçari Dorjan Keçi 40-vjeç, që u pagua gjashtë vite më parë për eleminimin e ish drejtorit të Tensionit të Lartë për zonën e veriut Saimir Jakut.
Saimir Jaku, ish-Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut, u qëllua nga vrasës me pagesë. Krimi i ndodhur në shtator 2016, ku mbeti i plagosur edhe 50-vjecari Gjergj Prenga është zbardhur sot nga policia e Lezhës, ndërsa detajet u dhanë në një dalje për mediat.
Dorjan Keçi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar D. K., në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje.
Por si ndodhi ngjarja gjashtë vite më parë?
Vrasja u shënua në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit, pak metra larg komisariatit, ku viktima, Saimir Jaku kishte shkuar të pinte një kafe. Autorët e maskuar sipas dëshmitarëve okularë, kanë qenë dy persona të armatosur, ku njëri prej tyre ka dalë nga automjeti tip Benz dhe ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Saimir Jakut. Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat të cilët i kanë përshkuar disa pjesë të trupit. Në atë ngjarje ka mbetur I plagosur edhe shtetasi Gjergj Prenga 50-vjeç nga Rrësheni i cili në momentin e ngjarjes ka qenë duke pire kafe me viktimën.
Top Channel