Numri i të ndaluarve nga operacioni policor “Restart” në Korçë ka shkuar në 23, pasi një 24-vjeçar u arrestua gjatë 24 orëve të fundit.
Në finalizimin e fazës së dhjetë të operacionit policor të koduar “Restart”, startuar tetë muaj më parë, gjithashtu u vu nën hetim një tjetër.
I arrestuari në bashkëpunim me persona të tjerë trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
30 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis janë sekuestruar, ndërsa në total shifra ka shkuar në 565.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate.
Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së të arrestuarit në fshatin Ponçarë, policia gjeti dhe sekuestroi 2 çanta sportive, me 30 kg lëndë kanabis.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shokut të tij, A. Z., u gjet e sekuestrua një motor i markës “Peda Tek”, pa targa dhe dokumentacionin përkatës, i cili rezultoi i vjedhur në Maqedoninë e Veriut.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë, Policinë Kufitare, shërbimet e Frontex-it, Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur tetë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e dhjetë të tij, si rezultat i së cilës u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit:
– E. Z., 24 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë;
Si edhe u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin:
– A. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe informacioneve të grumbulluara se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me persona të tjerë, ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesës së tij në fshatin Ponçarë, gjetën dhe sekuestruan 2 çanta sportive, me 30 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shokut të tij, shtetasit A. Z., u gjet e sekuestrua një motor i markës “Peda Tek”, pa targa dhe dokumentacionin përkatës, i cili rezultoi i vjedhur në Maqedoninë e Veriut.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Top Channel