Respektimi i aktit normativ që ndalon muzikën pas orarit të lejuar/ Policia e Durrësit aksion në bizneset e bregdetit

26/07/2022 12:05

Policia e Durrësit njofton se natën e kaluar ka vijuar  kontrollet në subjekte të ndryshme, përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Durrës, me qëllim monitorimin e respektimit të aktit normativ që ndalon muzikën në mjediset e hapura, tej orarit të përcaktuar.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në lokalet e shumta përgjatë plazhit të Durrësit dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Policia paralajmëron se kontrollet do të vijojnë pandërprerë, për të garantuar respektimin e orarit të përcaktuar ligjërisht, për vendosjen e muzikës, në subjektet përgjatë vijës bregdetare të qarkut, ndërsa i bën thirrje subjekteve që të respektojnë oraret e përcaktuara që të mos përballen me penalitete.

Gjithashtu policia fton qytetarët që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe të denoncojnë në Komisariatin Dixhital problematikat që mund të hasin.

Kujtojmë se Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, një ditë më parë gjatë takimit drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet e zonave bregdetare dhe shefat përkatës të komisariateve tha se do të ketë zero tolerancë për muzikën përtej orarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA