Ministria e Mbrojtjes njofton se në 24 orët e fundit janë raportuar 26 vatra zjarri në vend.
Një zjarr ka rënë në zonën e “Liqenit të Zi” në bashkinë e Belshit. Ekipet e zjarrfikëseve po luftojnë me flakët, të cilat deri tani kanë shkrumbuar 15 ha pyll. Në ndihmë të ekipeve zjarrfikëse të Belshit kanë shkuar edhe zjarrfikësit e Elbasanit e Cërrikut, por terreni është i vështirë.
Një tjetër zjarr ka rënë në fshatin Bogë, Njesia Administrative Shkrel. Për të shuar flakët në terrenin e vështirë, janë nisur dhe 30 ushtarë të Repartit Vau i Dejës, si dhe zjarrfikës.
Një vatër zjarri është shënuar edhe në juglindje, në pyllin e Leminotit në Bashkinë e Maliqit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë të martën por pa mundur të shuajnë flakët.
Në aksionet për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve janë angazhuar 435 efektivë zjarrfikës, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare, 46 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter.
Top Channel