“5 mijë euro për lirimin nga burgu”/ Detajet, denoncimi anonim në SPAK që çoi në arrestimin e gjyqtares së Elbasanit

26/07/2022 15:42

Gazetarja Anila Hoxha, ka siguruar për Top Channel të tjera detaje nga dosja hetimore e gjyqtares së Elbasanit, Zamira Vyshka, e cila me vendim të GJKKO ndodhet në masën e sigurisë së arrestit në shtëpi, e akuzuar për korrupsion.

Zanafilla e hetimit duket se është bërë një shkresë e dorëzuar në Prokurorinë e Posacme, e cila sic thuhet në dosje është një kallëzim anonim, pa nënshkrimin e një personi, pa të dhëna të tjera identifikuese, por vetëm emri i kallëzuesit, Misir Musta.

Në kallëzim thuhet se gjyqtarja Zamira Vyshka, ka detyruar familjarët e të pandehurit që ajo kishte nën gjykim, për të kontraktuar si mbrojtës ligjor avokatin Ilir Pashaj, edhe ky i fundit vënë tashmë nën arrest.

Në këmbim të lirisë së të pandehurit Xhuljo Musai, i arrestuar për plagosje të rëndë me dashje, gjyqtarja Vyshka dhe avokati Pashaj, kërkuan shumën e 5,000 eurove.

Denoncimi në SPAK për gjyqtaren Zamira Vyshka:
“Dua të jap një infomacion për giyqtaren famëkeqe të gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka. Kjo gjyqtare si një ndër më të korruptuarat nuk ndalet as nga frika e SPAK apo institucioneve të tjera që veprojnë në vend. Ajo është duke kryer një aferë korruptive me një dosje që ka aktualisht në dorë. Bëhet fjalë për cështjen e dërgimit në giyq për të pandehurin Xhuljo Musaj i akuzuar për plagosje të rëndë me dashje dhe ndodhet i arrestuar në paraburgimin e Elbasanit.

Ky i pandehur ka patur një avokat që e ndiqte cështjen gjatë shqyrtimit të masës së sigurimit, por tani që e mori kuçedra Zamira Vyshka i ka vënë kusht palës që të marre av.Ilir Pashaj ish-gjyqtar në Elbasan dhe mik i ngushtë i giyqtares.

Av.llir Pashaj komunikon me xhaxhain e të pandehurit i njohur si Tani Musaj dhe janë takuar duke bërë pazaret. Me pas Iliri ka rënë dakord me Zamirën si do veprohet për ta nxjerrë të pandehurin nga burgu. Seanca është caktuar për në dt 30.07.2021, ora 10:00 dhe sipas diskutimeve që kjo giyqtare ka zhvilluar me av.llir Pashaj kanë rënë dakord që ajo të marrë 5,000 euro në këmbim të lirisë.

Së pari ata kanë rënë dakord që avokati Ilir Pashaj të mos zgjidhet nga familjarët për të mos rënë në sy paraprakisht por të zgjidhet me deklarim në seancë nga vetë i pandehuri. Mjafton të verifikoni dhe do rezultoj që ka takime dhe telefonata mes av. llir Pashaj dhe të pandehurit shtetasi Tani Musaj. Gjithashtu ata kanë vendosur që nëse cështja do mbyllet me një seance, ajo do jap nenin 59 të K.Penal që është pezullimi i ekzekutimit të vendimit, ndërsa nëse cështja nuk mbyllet atë ditë ajo do bëjë zëvendësimin e masës së sigurimit në mënyrë që i pandehuri të dalë dhe të shijojë verën, njësoj si gjyqtarja do e shijojë me lekët që ka marrë apo pritet të marrë nga i pandehuri.

Mjafton të verifikoni këtë rast dhe do shikoni se kjo cështje është një aferë e pastër korruptive e kryer nga një gjyqtare e cila korrupsionin e ka fjalën e saj të preferuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA