Ushtria e Mianmarit ekzekuton katër aktivistë të demokracisë

25/07/2022 08:49

Katër aktivistë të demokracisë janë ekzekutuar nga ushtria e Mianmarit. Këto ekzekutime besohet se janë dënimet e para me vdekje në dekada.

Ish-avokati, Phyo Zeya Thaw, shkrimtarët dhe aktivistët, Ko Jimmy, Hla Myo Aung dhe Aung Thura Zaw u ekzekutuan për kryerjen e “akteve të terrorit”.

Për ekzekutimet, ushtria e Mianmarit fillimisht kishte njoftuar në muajin qershor, gjë që kishte nxitur dënim ndërkombëtar.

Dënimet me vdekje vijnë pas puçit ushtarak të vitit 2021.

Ushtria e Mianmarit apo junta, rrëzoi në shkurt të vitit të kaluar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të udhëhequr nga partia Lidhja Kombëtare për Demokraci e Aung San Suu Kyi. Grushtshteti nxiti protesta të mëdha të cilat u shtypën me shpejtësi.

Qeveria në hije e Unitetit në Mianmar, që u formua nga kundërshtarët e puçit ushtarak, dënoi vrasjet, duke thënë se “jemi shumë të tronditur dhe të pikëlluar”.

Kjo qeveri përbëhet nga figura pro-demokracisë, përfaqësues të grupeve të armatosura etnike dhe pjesëtarë të partisë së Suu Kyisë. Qeveria në hije i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “ndëshkojë juntën vrastare për mizoritë dhe vrasjet”.

Media shtetërore e Minamarit, tha se katër personat u ekzekutuan, pasi “kishin dhënë direktiva, kishin bërë marrëveshje dhe kishin kryer komplote për akte terroriste, brutale dhe çnjerëzore”.

Katër të ekzekutuarit ishin dënuar me vdekje në janar, pas gjykimeve të mbyllura, që sipas grupeve për të drejtat e njeriut, ishin gjykime jotransparente.

Sipas medias shtetërore, katër personat u akuzuan sipas ligjit kundër terrorizmit, por nuk u raportua se kur dhe si u ekzekutuan.

Këto ekzekutime janë të parat në Mianmar – që më herët njihej edhe si Burma – që nga viti 1988, sipas Kombeve të Bashkuara. Më herët në Mianmar ekzekutimet kryheshin përmes varjes.

BBC raporton se familjarët e katër të ekzekutuarve kanë shkuar në burgun Yangon Insein për të pyetur autoritetet për informacione. Ata ende nuk kanë pranuar trupat e pajetë të familjarëve të tyre./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA