Sistemi e-albania ende nuk i është rikthyer normalitetit pas sulmit kibernetik të së dielës.
Mos ofrimi i të gjitha shërbimeve publike online po vështirëson sidomos punën e bizneseve,të cilët po lënë një sërë punësh pezull në pritje të zgjidhjes së kësaj problematike. Kohë e humbur dhe disa hapa të kthyer pas. Sipas ekspertëve nëse do të vijohet pa shërbim, sipërmarrësit do të humbasin lekë dhe kredibilitet.
“Bizneseve e-albania ju kushton miliona trasaksione në ditë, të cilat janë shkëputur. Është një pengesë për bizneset sepse duhet të hedhin faturat, pasqyrat financiare e të tjera shërbime që ata kanë. E gjithë frika është se nuk dihet çfarë do bëhet se nuk ka një njoftim zyrtar se çdo bëhet nëse nuk deklarohet pasqyra financiare”, tha Mala.
Rikthimi i cunguar I sistemit nuk lejon dorëzimin në kohë të bilancit vjetor të 2021 për rreth 20 mijë biznese, të cilat afatin e fundit të dorëzimit kanë 31 korrikun, por vazhdojnë të përballen me mungesën e informacionit zyrtar nëse do të ketë shtyrje të afatit?
“ Të paktën deri sa sistemi të normalizohet, të ketë një njoftim që mund të deklarohen më vonë, ose nuk do ketë gjoba…”, tha Alfons Mala.
Nëse sistemi nuk rregullohet deri në 31 korrik dhe deri atëherë qendra kombëtare e biznesit nuk sqaron sipërmarrësit se si do të procedohet, ligji parashikon gjoba deri 60 mijë lekë.
Lekë të humbura do të ketë edhe për bizneset e reja që nuk mund të regjistrohen dot për shkak të bllokimit të shërbimit, apo ato biznese që duan të pezullojnë aktivitetin. Teksa kjo paralizë shërbimesh online lë hapësira edhe për abuzime.
Top Channel