Drejtori i postës së Dibrës, Ilir Vraniçi dhe shefi i zyrës Xhevdet Doda janë arrestuar këtë të premte për shpërdorim detyre.
Prokurorja Xhoana Mehmetaj ka firmosur urdhër arrestin edhe punonjësin e postës Gazmir Hasi, i cili akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim dokumentesh.
Ky person sipas hetimeve ka vjedhur pensionet e qytetarëve, rreth 6 milion lekë (të rinj). Hasi ka mundur t’i shpëtojë policisë, pasi ende nuk është arrestuar. Dy shefat e tij, drejtori i postës dhe shefi i zyrës akuzohen se nuk e kanë pikasur vjedhjen, edhe pse në dokumentacionet e plotësuara nga Hasi ka parregullsi. Sipas hetimeve ata kanë pasur dijeni për veprimet e vartësit te tyre.
E gjitha parregullsia, sipas veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se ka ndodhur në periudhën janar-maj të këtij viti.
Një muaj më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare”, denoncoi skandalin me pensionet e dhjetëra banorëve të Peshkopisë, të cilët po endeshin në dyert e institucioneve shtetërore.
Punonjësi i Postës, Gazmir Hysi, i cili duhet t’ua shpërndante, u zhduk, bashkë me një shumë të majme monetare. Në redaksinë e emisionit mbërriti një informacion për këtë problematikë. Gazetarët biseduan me dhjetëra pensionistë në Peshkopi dhe Njësinë Administrative Kastriot.
Pjesë nga biseda e gazetarëve të Fiksit me pensionistë dhe punonjës të Postës në Peshkopi:
Pensionistja – E kanë hequr Gazin?
Fiksi – Pse?!
Pensionistja – Nuk e di, i ka pas dhënë Gazi këto pensionet dhe asistencën.
Fiksi – Po pra.
Pensionistja – Ai la nam. Kena pas Fate Shaini, thoshte të vish a me 17, me 22, 20 nuk kishte datë të caktuar kërkund o bir.
Fiksi – Ka marrë lekët e pensioneve e nuk ua ka dhënë?
Pensionistja – Ka njeri që se ka marrë hiç. Mua më thanë ka gjet shtëpi në Tiranë.
Fiksi – Ëëë.
Pensionistja – Thanë ka gjet shtëpi në Tiranë. Këtu s’ka shtëpi, ka shku në Tiranë ai.
Pensionisti – Unë kam pasur me marrë pensionin që më datë 20 (maj), sot është data dy (qershor). Edhe plaka kështu s’i kemi marrë.
Fiksi – Mos ka pasur me t’i dhënë Gazi edhe ty?
Pensionisti –Po.
Pensionistja – S’i kanë marrë edhe të tjerët!
Fiksi – Po Gazi nuk është këtu, e kanë hequr?
Pensionisti – Ku di gjë!
Fiksi – Që me 20 (maj) ke pasur ti me marrë?
Pensionisti –Po.
Fiksi – Data sot …
Pensionisti – 2 (qershor).
Fiksi – Ç’a thonë?
Pensionisti – Nuk di gjë hiç, nuk kam vajtur kërkund. Llafe mileti, jo është këtej, jo është andej, jo ka bërë budallëqe.
Pensionistja – 30 mijë lekë asistencë.
Pensionisti a 2 – Ha mo ani, ani edhe unë s’i kam marrë.
Fiksi – Çfarë date ke pas me i marrë?
Pensionisti – Po kjo thotë s’i kam marrë.
Pensionistja 2 – S’i kam marrë jo!
Fiksi – S’i ke marrë hiç?
Pensionistja 2 – Jo mo jo fare. Kemi ardhur lartë e poshtë se jam edhe me tension. Sa këtu, sa këtu, sa këtu, sa këtu.
Fiksi – Ç’a të thonë?
Pensionistja – Laju sot se të rruajmë nesër!
Pensionistja 2 – Një herë tha dua letrën, ku me shku! Nejse, ikëm. Ene hajde mos e gjej, hajde mos e gjej.
Fiksi – Sa herë ke ardhur?
Pensionistja 2 – Eh sa herë kam ardhur?! Ku e di unë tani, që me datë 10 që merrem. Tani e kam lënë se nuk kam takat me ardh këtu.
Fiksi – I ka marrë për vete?
Pensionistja 2– Zoti e di, s’e di!
Pensionistja 3 – Të asistencave.
Fiksi – Sa muaj ke pa marrë pensionin?
Pensionistja 2 – Një muaj.
Fiksi – Një muaj …
Pensionistja 2 – A t’u ardh data tjetër, me datë 10 vjen pensioni tjetër. Ku të ha, i kam marrë borxh, i kam marrë lekë tani.
Top Channel