Ambasada Amerikane në Tiranë në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes ngriti alarmin për një kërcënim të mundshëm që shënjestron një samit të organizuar nga opozita e Iranit, në zonën e Manzës në Durrës më 23 dhe 24 korrik.
Ambasada lëshoi një njoftim sigurie në të cilin shkruhet se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm i cili ka në shënjestër takimit botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”.
Njoftimi udhëzon qytetarët amerikanë që ndër të tjera të shmangin këtë ngjarje, të mbajnë një profil të ulët dhe të monitorojnë mediat lokale.Samiti organizohet nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dy grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.
Njoftimi i ambasadës vjen pasi ditët e fundit Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, ka ushtruar kontrolle në banesat e disa prej ish anëtarë të MEK-ut duke sekuestruar materiale të ndryshme të gjetura në to. Kontrollet mendohet se janë kryer në kuadër të hetimeve ndaj një rrjeti të mundshëm spiunazhi të kamufluar nën aktivitetin e një shoqate që propagandonte se synonte bashkimin e iranianëve dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.
Në Shqipëri, që prej vitit 2016 strehohen rreth 3.000 anëtarë të organizatës MEK në manzë. Në këtë samit pritet të marrin pjesë qindra politikanë dhe deputetë të njohur nga të dyja anët e Atlantikut dhe më gjerë.
Kampi Ashraf pranë Durrësit u vizitua një muaj më parë nga ish-nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ndërsa në muajin maj këtë kamp e kishte vizituar edhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Top Channel