Masa të shtuara policore në Manëz të Durrësit, aty ku do të zhvillohej Samiti Botëror për Iranin e Lirë.
I konsideruar një konferencë paprecedent në llojin e vet, samiti do të mbahej në kampin Ashraf3 më 23 dhe 24 korrik në mbështetje të kryengritjeve dhe demonstratave të vazhdueshme nga populli iranian dhe do të ishte një thirrje drejtuar SHBA-së dhe Evropës për një politikë ndërkombëtare vendimtare kundër pengmarrjes dhe shantazhit nga regjimi iranian, në mbështetje të demokracisë.
Pjesëmarrja e mbi qindra parlamentarëve dhe figurave politike nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Lindja e Mesme ishte konfirmuar, po për arsye sigurie pasditen e së shtunës ky Samit u shty deri në një njoftim të dytë ende të pacaktuar nga organizatorët.
Ndërkohë pranë kampit në Manëz kanë vijuar të mbërrijnë të ftuarit në këtë samit që u anullua për arsye sigurie me rekomandim të qeverisë shqiptare.
I titulluar “Irani në prag të ndryshimit – Rezistenca çelësi i fitores”. Disa nga personalitetet që do të merrnin pjesë në Samitin e Iranit të Lirë 2022 qenë Gjeneral James Jones, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën e Obamës dhe ish-komandant i NATO-s, ish-kryeministri kanadez Stephen Harper; ish-kryeministri belg Guy Verhofstadt; ish-kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt; ish-kryeministri rumun Petre Roman; ish-kryeministrat irlandez Enda Kenny dhe John Broughton; ish-kryeministri islandez Geir Haarde; ish-ministri i Jashtëm italian Xhulio Terzi; ish sekretari i sigurisë kombëtare amerikane Tom Ridge; ish-Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Michael Mukasey; ish-drejtori i FBI-së, Louis Freeh etj., si dhe delegacione parlamentare nga Parlamenti Evropian, Anglia, Franca, vendet nordike, Italia, Ukraina, Rumania, Kanadaja, Gjermania, Portugalia, Australia, Tunizia, Jemeni dhe disa vende të tjera.
Mes të ftuarve edhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko.
Samiti që do të mbahej në Ashraf 3, shtëpinë e disa mijëra anëtarëve të organizatës muxhahedine të popullit të Iranit MEK, ishte konceptuar si një event botëror në mbështetje të protestave të vazhdueshme të popullit iranian për të nxitur faktorin ndërkombëtar për një regjim demokratik në vend. Zhvillimet e samitit do të shfaqeshin drejtpërdrejt në internet duke bërë bashkë edhe iranianët nga vende të ndryshme në mbarë botën ku ata janë shpërndarë. Samiti u shty për shkak të kërcënimeve të shtuara kohët e fundit në lidhje me eventin.
Top Channel