Pas zbulimit të rreth 10 mijë rrënjë kanabisi në fshatin Mujalli të Fierit ditën e djeshme, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia thotë se nga informacionet e grumbulluara gjatë hetimit në kuadër të procedimit penal të nisur në muajin qershor 2022, si rezultat i hetimit të thelluar, u bë shpallja në kërkim e : H.D., 58 vjeç, banues në Tiranë; E.Q., 82 vjeç, banues në Baltëz, Fier; G.Q., 47 vjeç, banues në Baltëz, Fier dhe A.M., 60 vjeç, banues në Baltëz, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta janë autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, në parcelën me misër, në fshatin Mujalli, Fier.
Po ashtu, personat e arrestuar ditën e djeshme dhe personi i shpallur në kërkim, F. G., A. Xh. dhe S. L. janë bashkëpunëtorë edhe në kultivimin e bimëve narkotike, në fshatin Mujalli.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 gjeneratorë, 1 radio si e Policisë dhe pajisje të ndryshme pune që shërbenin për mbjelljen dhe rritjen e bimëve narkotike.
Sasia e bimëve narkotike është kapur ditën e djeshme në parcela në fund të fshatit Mujalli pranë shtratit të lumit Seman.
Top Channel