Familjarëve të Anri Kashikut, 18-vjeçari që shpëtoi vëllanë dhe shokun e tij por nuk mundi dot të dilte në breg i gjallë iu dha simboli i “Familjes së Dëshmorit të Atdheut”, Medalja e Mirënjohjes, si dhe Medalja e Kryeministrit gjatë ceremonie në Kryeministri.
Kryeministri Edi Rama theksoi se heronjtë nuk janë njerëz të rënë nga qielli, por janë shumë të zakonshëm që në një moment të caktuar kthehen në të jashtëzakonshëm.
“Ai u bë heroi i të vëllait dhe i të gjithë shqiptarëve. Përfitimi i statusit të dëshmorit nuk e shuan pikëllimin e thellë të familjarëve, dhimbjen e tyre, por lehtëson një plagë që do të qëndrojë aty në zemrën e babait, familjarëve e të vëllait. Është detyrim i yni që të nderojmë çdo shqiptar, këta njerëz të zakonshëm, babai i Anrit është një burrë që punon në emigracion. Qeveria është zotuar që t’i mbrojë fëmijët e të rënëve kudo në Shqipëri. Por në kët rast ai vetë ishte një fëmijë. Ashtu si të tjerë heronj të këtyre ditëve ai u bë një simbol i një vetëmohimi ekstrem për të përmbushur një mision që disave si mjekët që humbën jetën gjatë pandemisë, disa të tjerëve u sjell një moment të gabuar që bëjnë heroikisht gjënë e duhur. Nëse Anri nuk do të ishte sakrifikuar, jetët e humbura do të ishin dy dhe kjo na bën të kujtojmë që heronjtë nuk janë njerëz të rënë nga qielli, por janë shumë të zakonshëm që në një moment të caktuar janë të jashtëzakonshëm. E vendosin veten në pidestal. Emocion dhe mirënjohje për mundin për të ardhur deri këtu”, tha Rama.
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë askujt, kjo është që Anri mos të harrohet në të gjithë kombin shqiptar”, tha babai i viktimës.
Disa ditë më parë Anri Kashiku u shpall “Dëshmor i Atdheut” pasi sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar dy të miturit që po laheshin në Sektorin Rinia në Durrës.
Gjithashtu kryeministri vlerësoi vrojtuesin detar Igli Shahinaj i cili dha ndihmën e parë për shpëtimin dy djemve.
Top Channel