Policia dhe protestuesit anti-qeveritarë vijuan sot përleshjet pas gati tre javë demonstrimesh anti-qeveritare në Panama, për çmimet e karburanteve dhe kostos së jetesës.
Ndërkohë qeveria dhe disa organizata popullore po kryenin bisedime për t’i dhënë fund protestave.
Përfaqësuesit e dy palëve u takuan në Penonomé, 150 kilometra në jug të kryeqytetit, teksa përplasjet mes policisë e demonstruesve vijonin në disa qytete.
Ndërkohë pamje të rënda publikoheshin nga qyteti jugperëndimor i Santiago de Veraguas, ku policia tentonte të lironte autostradën PanAmericana të bllokuar nga demonstruesit.
Pas disa orë konfrontimi policia kishte liruar përkohësisht kalimin që ishte bllokuar prej më se një jave nga protestuesit.
“Jemi drejt luftës, qeveria na ka bombarduar me gaz lotsjellës, u shpërndamë por u rikthyen për të luftuar”, tha protestuesi Eduardo Cortés, për rrjetin AFP.
Protesta dhe bllokime të përkohshme rrugësh kishte dhe në kryeqytetin Panama City.
Kryepeshkopi i Ulloa ankohej se ngjarjet mund të shkatërrojnë harmoninë dhe unitetin mes popullit të Panamasë.
“Kisha katolike gjithmonë ka refuzuar dhunën e shtypjen, veçanërisht kur jemi para këtij dialogu që tenton të ndërtojë një Panama më të mirë,” tha Ulloa duke iu referuar bisedimeve.
Top Channel