Shorteu publik është hedhur këtë të martë, për familje të tjera të Manzës të cilat do të strehohen në lagjen e re.
As në këtë fazë të shorteut nuk janë përfshirë familjet që jetojnë në konteinerë, pranë shkollës së Manzës.
Kur kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga tërmeti, të tjera familje i janë nënshtruar shorteut për të siguruar një apartament në lagjen e re të ndërtuar në Manëz.
Tetë familjet pjesëmarrëse në këtë shorte iu gëzuan faktit që së shpejti do të hyjnë në apartamentet e reja.
Manza ishte një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti, ndaj u vendos të ngrihet një lagje e re me 9 pallate për të strehuar familjet që mbetën pa banesë si pasojë e fatkeqësisë natyrore.
Ndërkohë ka mbetur ende i pazgjidhur strehimi i afro 14 familjeve që jetojnë në konteinerë në Manëz.
Këto familje kanë banuar në godinën e ish-hotelit të minierës dhe për shkak të një problemi pronësie të godinës ku ata jetonin nuk janë përfshirë ende në listat e përfituesve të apartamenteve të reja.
Situata e tyre kërkon një trajtim të veçantë nga bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Durrësit, që duhet të marrë një vendim për strehimin edhe të këtyre banorëve në lagjen e re e cila është e pajisur me ambiente shërbimesh dhe fusha sportive, për të ofruar një cilësi më të mirë të jetës në komunitet.
Në lagjen e re të Manzës për familjet e dëmtuara rëndë nga tërmeti janë ndërtuar 226 apartamente në 9 godina, për shpërndarjen e të cilave është hedhur short publik i ndarë në disa faza.
Top Channel