Hakmarrja dyshohet se fshihet pas masakrës së të dielës në Fushë Krujë, ku humbën jetën Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Në duart e policisë janë vetëm mjeti i autorëve i cili u dogj në Larushkë dhe mjeti i viktimave të cilat po kqyren imtësisht nga ekspertët. Në vendngjarje policia gjeti dhjetëra gëzhoja të qitura nga 3 armë të ndryshme të cilat u gjetën brenda mjetit të djegur.
Kamerat e sigurisë në zonë pritet të zbardhin disa të panjohura për policinë. Grupi hetimor ka dyshime se përveç makinës së atentatorëve, në vraje është përdorur edhe një mjet tjetër që ka gjurmuar viktimat nga Rinasi deri në mbikalimin e Fushë Krujës. Ata dyshohet se kanë sinkronizuar lëvizjet me atentatorët që krimi të kryej në mbikalim, ku viktimat nuk kishin mundësi reagimi.
Pas ngjarjes deri në orët e para të mëngjesit dhjetëra persona, kryesisht banorë të zonës dhe me precedent penalë u shoqëruan në polici si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo autorët. Policia e shtetit ofroi shpërblim 30 milionë lekë të vjetra kundrejt anonimatit të plotë për këdo që jep informacion të vlefshëm për autorët.
Të tre viktimat veç lidhjes së gjakut që kishin mes tyre kishin dhe ngarkesa penale ku më të rënda i kishte 23-vjeçari Brilant Martinaj. Ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e policit të FNSH, Xhulio Prela dhe të ish-policit Xhelal Reçi.
23-vjeçari ka lidhje familjare të ngushtë me Ervis Martinaj, i cili pas operacionit plumbi i artë u shpall në kërkim. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai ka paguar për të eliminuar Endrit Doklen, i cili me vendim gjykate shpëtoi nga burgimi i përjetshëm.
Nga analizimi i provave dhe mekanizmit të ngjarjes policia dyshon se vrasësit e 3 të rinjve janë të njëjtë me ata të vrasjes së Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit nëntorin e vitit të kaluar në Astir dhe vrasjes së Can Karriçit në Bathore një muaj më vonë, të cilët po ashtu njiheshin si lidhje e afërt e Ervis Martinit.
Ndërkohë, sot rreth ores 2.00 të mëngjesit në fshatin Ahmetaq, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht një automjet i parkuar tip “Volksëagen”.
Per mjetin nuk është interesuar askush dhe nga targat dhe numri i shasisë nuk del i regjistruar ne Shqipëri. Policia po verifikon nëse kjo makinë është përdorur në vrasjen e tre të rinjve në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Top Channel