Punëdhënësit në SHBA do të ndihmojnë gratë që udhëtojnë për abort

15/07/2022 17:28

Tani që Shtetet e Bashkuara kanë një sërë ligjesh të ndryshme për abortin, gratë që duan t’i japin fund shtatzanisë dhe kanë mundësitë financiare të udhëtojnë, mund të shkojnë në shtetet ku aborti është ende i ligjshëm. Gratë e tjera mund të mbështeten te punëdhënësit për të siguruar para për transport.

Kur Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin që garantonte të drejtën për abort në mbarë vendin, disa shtete filluan të zbatonin menjëherë ndalimet e abortit. Më pas disa kompani vendosën t’u mbulojnë punonjësve të tyre shpenzimet e udhëtimit për të kryer aborte jashtë shtetit ku jetojnë.

Edhe përpara nxjerrjes së vendimit, kompania “Starbucks” i siguroi punonjëset se plani i tyre i kujdesit shëndetësor do të përfshinte, “mundësinë e mbulimit financiar të udhëtimit për arsye mjekësore për të patur qasje për abort”.

Të njejtën gjë bëri edhe kompania, “Procter & Gamble”. Ajo mbulon udhëtimet për transplantim organesh dhe procedura të tjera, por premton që vitin e ardhshëm do të zgjerojë mbulimin edhe për aborte, nëse punonjësja duhet të udhëtojë mbi 80 kilometra, deri te klinika më e afërt që kryen aborte.

Identiteti i grave që kërkojnë fonde udhëtimi për abortin do të mbrohet nga një ligj federal që është në fuqi.

Kur Teksasi ndaloi shumicën e aborteve, udhëheqësi i kompanisë “Salesforce” ofroi të zhvendoste punonjësit e tij në një shtet tjetër.

Ligjet e reja në shtete të ndryshme, që ndalojnë abortin, e trajtojnë si vepër penale këdo që “ndihmon ose nxit” abortin. Disa vlerësojnë se këto ligje përfshijnë edhe kompanitë e sigurimeve shëndetësore, ose drejtuesit e kompanive që ofrojnë qasje për abort.

Avokatja Kathryn Bakich nga kompania “Segal Group”, është eksperte me përvojë për përfitimet e kujdesit shëndetësor.

“Ne tashmë kemi filluar të punojmë për të verifikuar nëse disa nga këto ligje janë të paqarta dhe sa mund të zbatohen ato”, thotë zonja Bakich.

Kompanitë e sigurimeve janë subjekt i ligjeve shtetërore dhe për këtë arsye ekspertë të tjerë thonë se shtetet mund të ndalojnë mbulimin e udhëtimit për abort. Për kompanitë, megjithatë është kursim i madh nëse ofrojnë mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për abort. Profesori i Universitetit “Case Western Reserve”, Maxwell Mehlman e sqaron.

“Kompanitë e kanë kuptuar se kjo është në interesin e tyre, sepse është shumë më lirë të paguash, të themi, 500 dollarë për të ndihmuar dikë të shkojë në një shtet tjetër, dhe të bëjë një abort sesa të paguash për një shtatzëni dhe shpenzimet mjekësore që sjell ajo”, thotë zoti Mehlman.

Drejtorja ekzekutive e kompanisë për prodhime sportive “Dick’s”, Lauren Hobart, u zotua publikisht të sigurojë deri në 4 mijë dollarë për shpenzimet e udhëtimit për abortin. Ajo pranoi se jo të gjithë do të pajtoheshin me vendimin, por për kompaninë në fjalë dhe biznese të tjera të ngjajshme vendimi është në përputhje me imazhin e ri që këto kompani po krijojnë në opinion.

“Kjo mund të ketë të bëjë me diversitetin, barazinë dhe iniciativat e tyre të gjithëpërfshirjes, pasi ata nuk duan të qëndrojnë mënjanë për tema të rëndësishme dhe duan t’iu bëjnë me dije punonjësve dhe klientëve të tyre se cili është qëndrimi që mbajnë. Mendoj se ky është një fenomen i ri”, thotë ekspertja nga kompania “Segal Group”, Kathryn Bakich.

Për punëdhënësit, zotimi publik në përkrahje të së drejtës për abort është një vendim i vështirë, sepse mund të rezultojë në ngjalljen e pakënaqësisë tek klientët e tyre konservatorë. Por, në të njëjtën kohë edhe mund të tërheqë punonjës të rinj./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA