Valët e të nxehtit që po mundojnë prej kohësh Europën nuk kanë përfunduar ende dhe shkencëtarët thonë se ditët e pikut do të përjetohen javën e ardhshme.
Temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar pritet të rriten në nivelet më të larta të të gjitha kohërave në fillim të javës së ardhshme, gjë që shtyu qeverinë britanike të lëshojë një paralajmërim “të kuq” për herë të parë dhe të vërejë ndikimet e rrezikshme shëndetësore që mund të ketë ky lloj moti.
Ky paralajmërim i parë i kuq për nxehtësinë ekstreme mbulon pjesë të Anglisë qendrore, veriore, lindore dhe juglindore për të hënën dhe të martën e javës së ardhshme, kur temperaturat do të jenë më të lartat. Paralajmërimi përfshin edhe Londrën.
Rritja e shpeshtësisë, kohëzgjatjes dhe intensitetit të ngjarjeve ekstreme të nxehtësisë gjatë dekadave të fundit është e lidhur qartë me ngrohjen e planetit dhe mund t’i atribuohet aktivitetit njerëzor, thonë meteoreologët. Valë të nxehtit po përjeton edhe Greqia, Portugalia, Spanja dhe Franca, ku me mijëra ja tokë janë djegur si pasojë e zjarreve apokaliptike të ushqyer nga temperaturat ekstrem.
“Ne po përjetojmë një sezon të jashtëzakonshëm për shkak të të nxehtit, tashmë kemi tre herë më shumë pyje të djegura se në vitin 2020, dhe për këtë arsye kemi edhe një pranverë që ka qenë shumë e thatë dhe zjarre që janë përhapur me forcë. Dhe në këtë kontekst dua të falënderoj veçanërisht Greqinë, e cila na ka vënë në dispozicion disa avionë që mbërritën sot në mëngjes”, tha presidenti Macron.
Vala e këtij të nxehti afrikan që po mundon Europën, nuk do të kursejë as Shqipërinë. Temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius këtë fundjavë.
Në këtë periudhë nuk do të ketë reshje shiu, ose do të jenë të papërfillshme në zonat malore.
Top Channel