Lamtumira për heroin 18 vjeçar/ Durrës, përcillet në banesën e fundit Anri Kashiku! U vetësakrifikua për të shpëtuar dy të mitur

15/07/2022 14:57

Mes dhembjes dhe hidhërimit, të afërm dhe bashkëfshatarë kanë mbërritur të shumtë pranë familjes Kashiku për t’i dhënë lamtumirën e fundit 18-vjeçarit Anri Kashiku që humbi jetën për të shpëtuar vëllanë dhe shokun e tij 13-vjeçar.

Në Sektorin Rinia janë të shumtë ata që e konsiderojnë hero, pasi shpëtoi dy jetë. Gjëma që e goditi familjen e ka kthyer nga Anglia të atin që jetonte dhe punonte atje prej disa vitesh për të siguruar jetesën e tre djemve dhe gruas në atdhe.

Anri ishte djali i madh i familjes Kashiku që vite më parë u shpërngul nga Librazhdi në periferi të Durrësit, në lagjen ”Mirdita” të Sektorit Rinia.

”Ata janë të shkatërruar. I ati ka qenë 6 vjet në Angli. Pa i parë me sy. Shumë të tronditur. Jemi ne si bashkëfshatarë. Familje e mirë. Çuni ka qenë i paparë. I urtë, i mirë. Merrej me futbollin këtu në Sektor.”

 ”Si komunitet jemi shumë të indinjuar për ngjarjen. Prindërit nuk i takon dot. Janë keq. Vetëm gjyshin Naimin. Familje e shkëlqyer. Më vjen keq dhe mos u takofshim as me ju për këto ngjarje.” 

 ”Na vjen keq për të. Djalë 18 vjeç. Çfarë të themi ne?!”

 ”Ai është gjithë ai çun si me ngel në det ai po unë s’ua thoja dot familjes pa qenë i sigurtë.”

 ”Ma keq s’ka për atë familje dhe mosha e re, po ai ka shpëtuar vëllain dhe një tjetër.”

Pasdrekën e djeshme, tragjedia në plazhin e Sektor Rinia mund të kishte qenë më e rëndë, po fatmirësisht gjendja shëndetësore e dy të miturve që u shpëtuan nga mbytja, një ditë më pas është më e mirë.

”Ka shpëtuar ata të dy dhe ka ikur vetë. Fëmijët janë në spital. Jashtë rrezikut për jetën. Mbrëmë i kanë hequr oksigjenin dhe sot do t’i kontrollonin për ujë në veshka, thanë mjekët. Mirë janë ata. Ky i shkreti iku.”

 ”Ka bërë një heroizëm shumë të madh. Ka shpëtuar vëllain e vet dhe një djalë tjetër. Ai tjetri ishte djalë i vetëm, as motër, as vëlla. Nënën e kishte jashtë shtetit që punon dhe babain në punë. Medet për jetën e tij.”

Një ditë pas ngjarjes, këtë të premte, policia vendore deklaroi se në plazh ishte ngritur flamuri i kuq sinjalizues. Paralelisht me të ka folur edhe vrojtuesi i plazhit privat që është në pronësi të tij Igli Shahinaj, vrojtuesi i plazhit privat në pronësi të babait të tij.

 “Deti ishte me dallgë të mëdha dhe pamë dy persona në det pa lejen e familjarëve. Ngaqë kishim dhe flamurin që s’lejohet vrapuam për t’i ndihmuar dy të miturit që nuk dëgjonin thirrjen. Me mua vjen vëllai i tij dhe një punëtor i zonës për të na ndihmuar… Mundohemi t’i nxjerrim dhe kur kthyem kokën për të parë vetëm kapelja ishte aty.”

Të enjten pak çaste pas ngjarjes, kamera e Top Channel ka qenë në plazhin e Sektorit Rinia, aty ku ndodhi ngjarja dhe nuk ka konstatuar praninë e Flamurit të Kuq në kullat e vrojtimit ndërsa plazhi kishte pushues dhe deti vazhdonte të kishte dallgë. Madje kishte dhe fëmijë në det.

Siguria në plazhe mbetet një problematikë e vazhdueshme, ndërsa kontrolli i autoriteteve ndaj subjekteve që shfrytëzojnë me leje brezin e rërës dhe e kanë detyrim ligjor praninë e vrojtuesit të licencuar dhe mjeteve të shpëtimit është i papërfillshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA