Gadishulli Iberik dhe Franca janë në valën e një të nxehti përvëlues, me temperatura mbi normalen që po ushqejnë zjarret e fuqishme pyjore në disa zona.

Ky front i nxehtë, i dyti që nga fillimi i verës, pritet të zgjasë të paktën deri nga mesi i javës që vjen. Metereologët në Francë paralajmërojnë se më intensive, situata mund të bëhet ndërmjet të dielës e të martës- duke i kapërcyer 40 gradët Celsius. Në jugun e vendit, flakët kanë shkrumbuar 2.800 hektarë pyje, gjysma e të cilave me pisha pranë Bordosë.

Mbi 150 vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre atje. 500 të tjerë u evakuuan nga fshati i Guillos, teksa flakët po i  afroheshin banesave të tyre.

“Mendojeni, kishin marrë zjarr edhe majat e pishave 30 metra të larta. I shikonim zjarret si i afroheshin fshatit, ishte e tmerrshme”, tha kryetarja e bashkisë, Maylene Doreau.

Rreth 600 zjarrfikës po luftojnë më flakët në rajon, të ndihmuar dhe nga mjetet ajrore. Dy avionë cisterne kanadeze hodhën ujë në zonën e Gironde, ku u larguan me tmerr gati 6.000 kampistë.

Pjesa më e madhe e Spanjës është vendosur në gjendje alarmi nga i nxehti që rrezikon më shumë luginat rreth tre lumenjve të mëdhenj,  Guadiana, Guadalquivir dhe Tagus. Më e prekur rezulton Andalusia në jug, Extremadura në jugperëndim dhe Galicia në veri.

“Po na merret fryma. Nuk dimë si ta përballojmë këtë. Më shumë nuk shetqësohemi për vete, po për fëmijët, për nipërit e mbesat”, tha Marta Alfonso.

Në disa qytete jugore si Sevilja dhe Cordoba, termometri shënon tashmë mbi 44 gradë Celsius. Në afërsi të kufirit me Portugalinë, zjarret pyjore kanë zhuritur deri tani 3.500 hektarë. Në këtë vend, mjaft fermerë kanë dalë të luftojnë dhe vetë me flakët për të shpëtuar shtëpitë e kafshët e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA