Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka nisur konsultimet për mandatin e Qeverisë së re me një takim me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i cili është përfaqësues i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.

Ky koalicion do të ketë një mandat në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi ka thënë se kërkon integrimin e shqiptarëve dhe se pjesëmarrja në Qeverinë e Serbisë nuk është prioritet i tyre.

“Zbatim të marrëveshjeve për Luginën, ndryshim të ligjeve për pakicat dhe fond për zhvillim”, ishin kërkesat që sot ia dorëzuam presidentit Vuçiç, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ai ka thënë se prioritet i koalicionit është integrimi në institucionet publike, ato në nivel lokal dhe regjional, ndalimi i pasivizimit të adresave, fondi zhvillimor për Luginën dhe ndryshimi i Ligjit për flamurin.

Në prononcimet e mëparshme për media, Kamberi ka thënë se në bisedë do të insistojë në zbatimin e “Planit shtatëpikësh”, që u miratua nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, dhe ku përmenden probleme të shumta me të cilat përballet pakica kombëtare shqiptare në Serbi, si integrimi ekonomik i shqiptarëve, njohja e diplomave, mospërdorimi i shprehjeve fyese ndaj tyre.

Pas largimit nga Presidenca e Serbisë, Kamberi u tha gazetarëve se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ende nuk janë integruar as në nivel lokal të institucioneve shtetërore e as në rajon.

“Kërkesa jonë është që integrimet të fillojnë nga fundi dhe jo nga maja e Qeverisë”, ka thënë Kamberi, përcjell agjencia Beta.

Presidenti i Serbisë gjatë ditës është paraparë të takohet me përfaqësuesit e listave të pakicave që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Serbisë – mes tyre lista “Së bashku për Vojvodinë – Vojvodinë” dhe listën “Amaneti i Myftiut – Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit”, e udhëhequr nga Usama Zukorliq.

Sot në takim ka qenë i ftuar edhe përfaqësuesi i partisë boshnjake, SDA – Sanxhak, Sulejman Uglanin, por kjo parti ka vendosur që të mos i përgjigjet ftesës, raporton portali N1.

Vuçiç do të vazhdojë konsultimet edhe në tri ditët e ardhshme.

Siç ka raportuar gazeta e përditshme “Danas” më 10 korrik, partitë nga lista e Bashkuar për Fitoren e Serbisë nuk janë të bashkuara për të shkuar te presidenti serb për konsultime për qeverinë e ardhshme.

Më herët kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, ka bërë të ditur se partia nuk do të shkojë në konsultime me kryetarin e shtetit dhe të Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç.

Në zgjedhjet e 3 prillit, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi me shumë vota si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare.

Por, për herë të parë nuk do të kenë deputetë të mjaftueshëm për të formuar vetë shumicën në Kuvend, për këtë arsye detyrohen ta bëjnë atë në koalicion me njërën nga partitë e tjera./rel

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA