Delegacionet ushtarake nga Rusia, Ukraina dhe Turqia takohen sot me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara me shpresën t`i japin fund ngërçit të drithërave ukrainase, të bllokuara për shkak të agresionit rus ndaj vendi fqinj.
Takimi mbahet në Stamboll, i paraprire nga biseda telefonike që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi për këtë çështje me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, dhe homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ukraina dhe aleatët e saj po kërkojnë që të rihapen portet e saj në Detin e Zi, që sipas Kievit janë mbyllur për shkak të bllokadës ruse.
Shtetet perëndimore kanë rritur kërkesat e tyre për rihapjen e porteve dhe lejimin e dërgesave të drithit, veçanërisht në shtetet e Lindjes së Mesdhe dhe Afrikës të cilat varen nga drithi ukrainas për të ushqyer popullatën e tyre.
Turqia ka punuar me OKB-në intensivisht këto kohë për arritjen e një ujdie pasi pushtimi i Ukrainës në 24 shkurt shkaktoi një rritje të menjëhershme të çmimit të grurit, vajit për gatim, karburantit e fertilizuesve.
Detajet e planit që do të diskutohet në Stamboll përfshijnë orientimin e anijeve ukrainase me grurë në ujërat e porteve të mbushura me mina, pajtimin e Rusisë me idenë e një armëpushimi gjatë kohës së lëvizjes së ngarkesave dhe inspektimet nga ana e palës turke, që do të shërbejnë për të zbutur shqetësimet e Moskës për kontrabandë armësh.
Erdogan i tha Putinit se është koha të ndërmarrë veprime sa i përket një plani të OKB-së për krijimin e korridoreve të sigurta në Detin e Zi për eksportet e drithërave, ndërsa insistoi nga ana tjetër të negociohet dhe fundi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Zelenesky u shpreh përmes Tëitterit se e vlerëson ndihmën e tij presidentit turk lidhur me rifillimin e eksporteve e shtoi se Moska duhet të ndalojë marrjen e drithit ukrainas nga territoret e pushtuara.
Top Channel