Presidenti nga sytë këmbët, protestuesit rrëzojnë kreun e shtetit në Sri Lanka

13/07/2022 16:13

Sri lanka shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas valës së protestave masive anti-qeveritare, që detyruan presidentin Gotabaya Rajapaksa të largohet nga vendi e të kërkojë strehim në Maldive.

Mijëra vetë dolën të zemëruar në rrugë duke kërkuar largimin e kreut të shtetit. Indinjata e tyre shpërtheu në mesin e krizës më të rëndë ekonomike qe Sri lanka ka përjetuar prej dekadash të tëra. Ata i dhanë presidentit një afat, por kur panë që ai nuk po tërhiqej, sulmuan zyrën e kryeministrit Ranil Wickremesinghe, të cilin Rajapaksa e emëroi si mëkëmbës të përkohshëm të tij.

Protestuesit kërkuan largimin e të dy zyrtarëve. “Shko në shtëpi Ranil, shko në shtëpi Gota”, ishin thirrjet e tyre. Turma e egërsuar hyri me forcë edhe në stacionin kryesor televiziv shtetëror, e për pak kohë, mori në dorë transmetimet duke urdhëruar të përcilleshin vetëm lajme që lidheshin me protestën. Gjatë fundjavës, protestuesit mësynë edhe pallatin presidencial e u bënë virale pamjet e tyre duke u larë në pishinën e kreut të shtetit.

Nga Maldivet, Rajapaksa, i telefonoi kryetares të parlamentit dhe i tha se letra e tij e dorëheqjes do të dërgohej më vonë gjatë ditës. Ai gëzon imunitet nga arrestimi dhe besohet se  donte të largohej para se të jepte dorëheqje, në mënyrë që mos të mund ta ndalonin kur të mbetej pa pushtet.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA