Përplasje u shënuan sot mes ushtarëve izraelitë dhe protestuesve që demonstronin kundër sulmeve të kolonëve izraelitë ndaj banorëve palestineze në lindje të Ramallah, në Bregun Perëndimor.
Protestat vijnë pas sulmeve të kolonëve izraelitë ku disa banorë palestinezë u plagosen, në një situatë të përkeqësuar që prej muajit maj me përplasjet në xhaminë e Jeruzalemit.
Protestuesit sot qëllonin me gurë e llastikë ndaj ushtarëve, të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës e kapsolla shurdhuese.
Zhvillimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan Joe Biden është duke vizituar
Jerusalemin për bisedime me liderët izraelitë.
Të premten ai do të takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor.
Ndërkohë protestat janë bërë thuajse të përditshme në veri të Bregut Perëndimor ku Izraeli vazhdon të shtojë kolonitë e reja megjithëse konsiderohen ilegale nga komuniteti ndërkombëtar.
Ushtria izraelite mbron kolonitë e reja në veri dhe ka ndaluar të drejtat e ndërtimit dhe të zotërimit të tokës për palestinezët.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin që pas luftës së vitit 1967.
Top Channel