Dollari vlen më shumë se euro/ Rënia më e madhe e monedhës evropiane në 20 vitet e fundit!

13/07/2022 19:42

Euro ka rënë poshtë dollarit për herë të parë në 20 vite, ndërsa lufta në Ukrainë vijon ta dëmtojë monedhën.

Një euro është blerë me 0.998 dollarë në tregjet e huaja valutore, me rënie 0.4%, nga dita e djeshme kur ishin në barazi.

Frika për një recesion në Europë sa vjen e shtohet me frikën se Rusia mund të ndërpresë gazin për kontinentin e vjetër, ndërsa Banka Qëndrore Evropiane po vonohet të rrisë normat e interesit.

Përveç këtyre arsyeve, investitorët priren të mbajnë më shumë dollarë në kohë krize, e konsideruar si një parajsë e sigurt.

Ky dobësim i euros do t’i bëjë më të shtrenjta importet për eurozonën, sidomos për naftën e papërpunuar.

Në këto kushte inflacioni mund të shkojë edhe më lartë në Europë, ndërsa mesatarja në qershor arriti në 8.6%.

Presidentja e BQE, Christine Lagarde u shpreh se në korrik do të ketë rritje të normës së interesit pasuar nga të tjera në shtator. Momentalisht normat janë negative, si masë për të mbështetur ekonominë pas recesionit të shkaktuar nga pandemia. Por, kriza në Ukrainë do ta kthejë mbrapsht politikën monetare ndërsa BQE  kërkon ta kthejë inflacionin në nivelin 2% brenda 2024-ës.

Monedha e përbashkët europiane ka qenë më e vlefshme se dollari për pjesën më të madhe të historisë së saj. Ajo mbeti prapa dollarit vetëm në vitet e para të lançimit të saj në treg në 1999, por hera e fundit që u tregtua nën të ishte dhjetori 2002 – më pak se një vit pasi kartëmonedhat dhe monedhat euro u prezantuan për herë të parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA