Drejtorët e shërbimeve të inteligjencës britanike dhe amerikane thonë se bizneset nuk duhet të nënvlerësojnë angazhimin e Kinës për të përdorur spiunazhin për të vjedhur pronën intelektuale.
Ata kërkojnë balancimin e nevojës për njerëz të talentuar, që nuk kanë lindur në SHBA, apo Britani, me qëllim të ruajtjes së avantazhit teknologjik ndaj Kinës, ndërsa mbrohet siguria kombëtare dhe ekonomike.
Ligjvënësit e Uashingtonit po debatojnë mënyrat për t’i dhënë Amerikës avantazhin në garën e teknologjisë me Kinën…duke vlerësuar se presidenti kinez, Xi Jinping po i vështron dhe po shpreson që ata të jenë të pasuksesshëm.
Universitetet kërkimore amerikane janë vënë në vijë të parë të frontit.
Studimet tregojnë se mbi 75% e studiuesve të huaj në Shtetet e Bashkuara merren me kërkime shkencore. Shtetete e Bashkuara kanë nevojë për më shumë studiues vendas, që janë diplomuar në fusha shkencore.
“Shumë nga të huajt e diplomuar, ata me diploma doktorature, largohen nga vendi për shkak të çështjeve të emigracionit”, thotë ish-Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes, Kari Bingen.
Zonja Bingen është një nga 18 ish-zyrtarët e sigurisë kombëtare të SHBA-së që nënshkruan një letër, ku i bën thirrje Kongresit, të heqë kufizimet për emigrantët me diploma të avancuara në shkencë dhe teknologji.
“Nëse duam të fitojmë garën në teknologji, ne kemi nevojë për trurin më të mirë që është lindur në SHBA dhe nga e tërë bota”, thotë zonja Bingen.
Por ekspertët e sigurisë thonë se Kina po e shfrytëzon aktivisht mbështetjen e Amerikës tek talentet e huaja.
“Kina ka dërguar individë në SHBA si studiues, studentë, vizitorë të përkohshëm dhe ata kanë kopjuar amerikanët në institucionet akademike dhe institucione të tjera përmes programit të tyre që quhet “Mijëra të Talentuar” në përpjekje për të vjedhur pronën intelektuale amerikane”, thotë eksperti i sigurisë kombëtare, Jamil Jaffer.
Profesori 58-vjeçar i Universitetit Shtetëror të Ohajos, Song Guo Zheng pranoi se ai ishte përpjekur të rekrutonte talente kineze, por i kishte mbajtur përpjekjet të fshehura, që të mos humbiste miliona dollarë fonde nga qeveria amerikane për një program për të ndihmuar Kinën në fushën e mjekësisë. Ai tani po vuan tre vjet burg.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray dërgoi një paralajmërim urgjent për bizneset ditpët e fundit në një paraqitje të përbashkët me shefin e inteligjencës britanike, MI5.
“Qeveria kineze është e vendosur të vjedhë teknologjinë tuaj dhe ta përdorë atë për të dëmtuar biznesin dhe për të dominuar tregun tuaj”, tha zoti Wray.
Kina rreagoi një ditë më pas.
“Këto vërejtje të zyrtarit të inteligjencës ekspozojnë plotësisht mentalitetin e tij të rrënjosur në Luftën e Ftohtë dhe paragjykimin ideologjik”, tha zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Kinës, Zhao Lijian.
Ish-këshilltari i Departamentit të Arsimit Dan Currell thotë se universitetet dhe entitetet që japin grante, duhet të zhvillojnë më shumë masa mbrojtëse për të mbrojtur kërkimet e rëndësishme shkencore.
“Në të vërtetë nuk ka një sistem për verifikimin e njerëzve që janë të përfshirë në programet kërkimore”, thotë zoti Currell.
Ekspertët thonë se zhvillimi i këtij sistemi tani është kritik për të ardhmen e Amerikës, pasi siç paralajmëron ish zëvendës sekretarja amerikane e mbrojtjes, mundësia për humbjen e garës teknologjike me Kinën është serioze./VOA
Top Channel