Përmbytje katastrofike në Pakistan, ujërat pushtojnë vendin

12/07/2022 14:01

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje dhe dëme të mëdha në Karaçi të  Pakistanit.

Shumica e nënkalimeve u përmbytën,  tha kryeministri për provincën Sindh, Murad Ali Shah. Ai tha se shiu prej tre orësh solli 126 milimetra ujë.

Një vdekje është konfirmuar në periudhën e fundit të përmbytjeve, duke e çuar numrin e të vdekurve në 29 që nga fillimi i qershorit, sipas CNN.

Rrugët kryesore të Karaçit, të cilat strehojnë institucionet financiare dhe selitë e bankave, përfshirë bankën qendrore të Pakistanit, u përmbytën dhe ekipet e shpëtimit po përdorin varka për të arritur tek njerëzit e bllokuar.

Marina e Pakistanit po merr gjithashtu pjesë në operacionet e ndihmës dhe shpëtimit.

“I pikëlluar thellësisht nga humbjet tragjike për shkak të shirave të rrëmbyeshëm në Karaçi”, tha kryeministri Shehbaz Sharif në Twitter. Ai ofroi të gjithë mbështetjen e mundshme për administratën e Karaçit.

Autostrada që lidh qytetin e Quetta-s me Karaçin u mbyll gjithashtu,  pasi pjesë të saj u përfshinë nga përmbytjet.

Në provincën jugperëndimore të Balochistanit, rreth një duzinë fshatra në distriktin Lasbela u përmbytën pasi lumi Ëinder u tejmbush dhe uji vërshoi në shtëpi.

Marina dhe zyrtarët lokalë kanë shpëtuar rreth 500 njerëz dhe administratën lokale nga fshatrat e prekura deri më tani, tha zyrtari qeveritar Farhan Suleman Ranjho.

Javën e kaluar 64 vdekje ndodhën në pjesë të ndryshme të provincës Balochistan pasi tetë diga shpërthyen për shkak të përmbytjeve. Meteorologët parashikojnë më shumë reshje në ditët në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA